Çmimi i lartë i ilaçeve, siguria e tyre, koha e shërbimit, sorollatjet nëpër spitale, barrierat burokratike – këto ishin vetëm disa nga problematikat e ngritura nga pacientët gjatë një sesioni informues të organizuar nga shoqata “Together for Life” me pacient dhe përfaqësues të shoqatave të pacientëve.

Ky sesion informues u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, mbështetur nga USAID Albania. Projekti synon të inkurajojë pacientët të denoncojnë rastet e korrupsionit në sistemin shëndetësor duke përdorur institucionet e pavarura.

Përfaqësuesja e shoqatës “Together for Life”, Alma Kordoni prezantoi projektin dhe qëllimin e këtij takimi të organizuar me pacientët.

Projekti ka për qëllim edukimin, informimin dhe inkurajimin e pacientëve dhe qytetarëve për të denoncuar korrupsionin në sistemin e kujdesit shëndetësor duke përdorur mekanizmin si media dhe institucione të tjera të pavarura si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri i Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave, Gjykatat, të cilat kanë mandatin për zbatimin dhe zbatimin e ligjit dhe për mbrojtjen e të drejtave të pacientit dhe të qytetarëve”, u shpreh Kordoni.

Pacientët u informuan gjithashtu nga eksperti ligjor Andi Muratej lidhur me bazën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe rolin e institucioneve të pavarura në mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Mungesa e medikamenteve, çmimi i lartë dhe cilësia e tyre ishin ndër problematikat që pacientët vendosën theksin më shumë.

 “Na lind e drejta që të mos besojmë tek ilaçet që na rimburson shteti. Farmacisti të thotë: Këtë ilaç ta ka rekomanduar mjeku, po ky tjetri është më i mirë; apo paguaj edhe pak që ta marrësh ilaçin më të mirë”, rrëfen një pacient me diabet nga Kamza, i cili ka që në vitin 1995 që vuan nga kjo sëmundje kronike.

“Pastaj filloj edhe dyshimet me veten, mos këto ilaçe janë të skaduara, nuk do më bëjnë punë. Filloj të stresohem me veten, shfryhem edhe me familjarët”, shton ai.

Një tjetër paciente, e cila ka që në moshën 2 vjeç që vuan nga diabeti, gjithashtu shtron problemin e cilësisë së mjekimeve që marrin.

“Për një farë kohe merrja mjekim për një tjetër sëmundje kronike të shkaktuar nga diabeti. Së fundmi më kanë futur në linjë një medikament të cilësisë së fundit. Mjeku nuk më tregonte se cili medikament  ishte i cilësisë më të mirë nga frika se mos humbiste vendin e punës”, tregon ajo.

Sistemi i referimit dhe receta elektronike ishin dy nga problemet e tjera që pacientët shtruan.

“Një pacient me diabet vuan nga kjo sëmundje gjithë jetën. Ndërkohë që është i detyruar që çdo 6 muaj të ndjekë një sërë procedurash për të marrë ilaçet. A është normale? Pse duhet që një pacient kronik të ndjekë një cikël të tërë, për disa vula? Duhet të kalojmë një kalvar të gjatë për të marrë ilaçet. Të gjitha këto janë thjesht barriera burokratike”, shprehet një tjetër pacient.

“Çdo 6 muaj bëj analiza. Vetëm për të bërë kontrollin e zemrës më janë dashur 21 ditë. Një ditë nuk kishte internet, një ditë nuk ishte mjeku”, tregon një pacient tjetër.

Projekti i USAID-it Transparenca në sistemin shëndetësor synon të përmirësojë shërbimet shëndetësore për qytetarët shqiptarë duke u fokusuar tek korrupsioni dhe duke nxitur bashkëpunimin midis institucioneve të pavarura qeveritare, OJF-ve dhe medias për të kërkuar qeverisje më të përgjegjshme në sistemin shëndetësor. Duke punuar me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH) dhe Avokatin e Popullit, projekti do të gjenerojë të dhëna për të matur korrupsionin dhe faktorët përkatës shkakësorë dhe do të mbikëqyrë reformat në sektorin publik dhe auditimet./ Shendeti.com.al