Eventi përmbyllës i projektit si pjesë e programit “Fuqizojmë Komunitetin (ICR)”, financuar nga USAID dhe zbatuar nga UNDP Shqipëri, në partneritet me Bashkitë Kurbin dhe Lezhë dhe Shoqatën Together for Life, festoi arritjet dhe praktikat e mira të projektit, duke shërbyer edhe si një mundësi për të reflektuar mbi rekomandimet për të ardhmen dhe për të bërë thirrje për nisma të mëtejshme në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Aktiviteti u zhvillua në Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë, ku të pranishëm ishin Drejtues të Shëerbimit dhe Kujdesit Social në Bashkinë Lezhë, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Kurbin, përfaqësues të UNDP Shqipëri, Kryetarja e Aleancës së Grave Këshilltare në Bshkinë Lezhë si dhe përfaqësues të Zyrës Vendore Arsimore në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin.
Të pranishëm ishin edhe Drejtues, mësues dhe nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Lezhë dhe Kurbin, gazetarë nga media lokale, prindër nga grupe vulnerabël dhe përfitues të qendrës dhe programit, si edhe të rinj të angazhuar përgjatë nismave dhe aktiviteteve të zhvilluara.
Gjatë eventit, të pranishmit vlerësuan impaktin e programit në komunitetet në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin për rritjen e ndërgjegjësimit dhe sinergjive në luftën kundër DHBGJ dhe DHF, si dhe forcimin e rrjetëzimit lokal.
Përmes një videoje pasqyruese u bë një përmbledhje e arritjeve të projektit, duke theksuar sidomos bashkëpunimin me qendrat dhe aktorët lokalë kyç në Lezhë dhe Kurbin.
Me synimin për t’i dhënë zë mesazheve domethënëse të të rinjve mbi fenomenin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, nxënësit patën mundësinë të prezantonin esetë e tyre. Fituesit nga 2 shkollat “At Zef Pllumi” në Shëngjin, “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç dhe pjesëmarrësit e tjerë në konkurs nga shkollat e tjera, po ashtu edhe të rinjtë e angazhuar përgjatë nismave të projektit, u vlerësuan me një certifikatë. Kjo, me synimin për t’i falenderuar për përpjekjet e tyre në ndërgjegjësimin e komunitetit përmes artit.
“Së bashku, për një komunitet më të fuqizuar dhe më gjithëpërfshirës”.