Në vazhdën e takimeve mes përfaqësuesve të të gjitha partive politike në vend me grupet e ndryshme të interesit, në kuadër të projektit “Informim-komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm” në sajë të programit Senior II, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit në Shqipëri dhe financuar nga Ambasada Suedeze, Shoqata “Together for Life” zhvilloi takimin e radhës në qytetin e Fierit.
Në këtë takim, pjesëmarrës ishin të rinj të këtij qyteti si dhe përfaqësuesja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), znj. Edlira Toska.
Me anë të këtij takimi të rinjtë patën mundësinë të njiheshin me programin e kësaj partie fokusuar kryesisht në çështjet mjedisore. Znj. Toska bëri një prezantim të qartë rreth platformës politike të partisë që ajo përfaqëson dhe më pas takimi vijoi me diskutime nga ana e të rinjve.
Programi mjedisor I LSI-së kryesisht vë theks të veçantë tek sektor bujqësor. “Në 100 mijë vende pune që do të hapen për të rinjtë, 25 mijë prej tyre do të hapën në sektorin bujqësor, të agro-industrisë dhe peshkimit”-theksoi znj.Toska.
Partia Socialiste për Integrim në programin e saj do të mbështesë investimet në industrinë e kërkimit, nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, naftës dhe gazit duke stimuluar fiskalisht ndërtimin e fabrikave të pasurimit dhe përpunimit të mineraleve, si dhe ndërtimin e rafinerive të pasurimit të naftës në vend. Një pikë tjetër premtuese përjashtimin nga taksat për sipërmarrjet me strukturë agroturizmin. Këto janë të vetmet çështje që prekin aspektin mjedisor por pa përfshirë politikat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e tij. Por situata e mjedisit në atë qytet kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe të rinjtë shprehen shumë të revoltuar për mungesën e vullnetit politik për të marrë nisma në favor të pastrimit të ajrit dhe mjedisit.
D.T shprehet: “Unë jam aq pesimist për këtë vend sa e mendoj të ardhmen në një vend jashtë Shqipërisë, mezi po pres të përfundoj studimet dhe gjëja e parë që do bëj është të largohem nga këtu. Më vjen keq edhe pse Zharrëza nuk ndodhet larg prej qendrës së qytetit, unë ndjehem indiferent për situatën dhe shëndetin e banorëve atje sepse e di që ajo ashtu do vazhdojë për shumë kohë”.