Në Shqipëri vazhdon edhe sot që të jetë tabu diskutimi i temave për shëndetin seksual riprodhues, marrëdhëniet seksuale, fazat dhe ndryshimet që pëson trupi i njeriut ndërsa rritet.
Këto tema janë ende turp apo shkaktojnë ndrojtje kur diskutohen, në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, edhe pse familja është vendi ku duhet të hidhen bazat për edukatën seksuale që marrin fëmijët. Kjo mungesë lirshmërie, i shtyn ata të sigurojnë informacione në rrugë jo të sigurta, të pasakta ose në rastin më të keq edhe të rrezikshme.
Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Familje e fortë, të rinj të shëndetshëm”, mbështetur nga UNFPA Albania, po zhvillon takime informuese me prindërit për rëndësinë e komunikimit prind-fëmijë lidhur me çështjet e shëndetit seksual, si me vajzat ashtu edhe me djemtë.

Gjatë një takimi të zhvilluar në Belsh, koordinatorja e TFL ndau me prindërit disa këshilla si të komunikojnë me fëmijët lidhur me këto tema, dhe ku duhet të drejtohen nëse kanë nevojë për informacione mbi prindërimin dhe edukimin e fëmijëve për shëndetin seksual dhe riprodhues që në moshë të hershme.