Shoqata “Together for Life” mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të Qeverisë, të trupit diplomatik, të institucioneve ndërkombëtare, të institucioneve mikrofinaciare, të organizatave të shoqërisë civile, si dhe gra e vajza sipërmarrëse për të diskutuar dhe ndarë mendime dhe qasje rreth situatës së bizneseve të drejtuara nga gratë, vështirësive me të cilat ato përballen dhe nevojës për ndërhyrje në mbështetje për zhvillim e tyre.
Në Konferencën “Fuqia e grave sipërmarrëse në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit” e organizuar nga Together for Life u prezantuan:

  • Gjetjet e studimit ”Klima e përgjithshme e biznesit dhe ndikimi i tërmeteve të vjeshtës 2019 dhe COVID-19 tek gratë sipërmarrëse”,  realizuar nga TFL me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA.
  • Platforma e parë online dedikuar grave që drejtojnë sipërmarrje të vogla dhe të mesme (Women in Business – Albania) zhvilluar nga TFL me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë.

Konferenca u përshëndet nga ministrja e Financës dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ministri për  Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, znj. Guusje Korthals ALTES, Ambasadori i Austrisë z. Christian STEINER, kryetarja e Bashkisë Kurbin, znj. Majlinda CARA, të cilët vlerësuan si shumë të rëndësishme çdo iniciativë dhe përpjekje që synon fuqizimin ekonomik të grave sipërmarrëse.

Studimi i fokusuar në situatën e përgjithshme të biznesit të drejtuar nga gratë dhe problematikat e krijuara në to veçanërisht pas tërmeteve të vjeshtës së vitit të kaluar dhe pandemisë së COVID-19, solli në vëmendje të të pranishmëve jo vetëm shqetësimet por edhe nevojën për ndërhyrje dhe mbështetje nga të gjithë aktorët në treg për këto sipërmarrje. Studimi “Fuqia e Grave sipërmarrëse në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit” i realizuar nga shoqata “Together for Life” është i vetmi i kaq i detajuar për situatën e sipërmarrjeve të grave deri më sot.
Ministrja Denaj, duke e marrë fjalën theksoi se, “për gruan duhet të flitet më shumë, të flitet dhe të punohet në aspekt të politikave, të mbështetjes së gruas sipërmarrëse, dhe mbi të gjitha për të parë të gjitha problematikat që ekzistojnë për t’i adresuar ato sa më mirë”.
Ministrja e Financës dhe Ekonomisë theksoi se u takon të gjithë aktorëve të mendojë më shumë iniciativa që kanë në fokus mbështetjen për gruan sipërmarrëse.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, duke iu referuar të dhënave për pjesëmarrjen e gruas në jetën sociale ekonomike të vendit, theksoi se “kemi bërë një progres për të cilin duhet të ndihemi të gjithë krenarë sepse tani nuk flasim më vetëm për përfshirjen e grave, por edhe për kontributin real të tyre në shoqërinë shqiptare”.
Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara solli eksperiencën e saj si kryebashkiakja e parë femër në qarkun e Lezhës dhe e konsideroi këtë si një ngjarje jo e zakontë për këtë zonë.

Z. Christian Steiner, Ambasadori i Austrisë, u shpreh se nëse mbështesim gratë, mbështesim familjen, mbështesim komunitetin. Duke iu referuar Studimit të prezantuar nga TFL, Ambasadori Steiner u shpreh se është e rëndësishme të kemi një panoramë të qartë të grave dhe vështirësive të tyre.

“Unë besoj tek forca e gruas, theksoi ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, znj. Guusje Korthals ALTES. Pandemia tregoi se duhet t’u besojmë grave dhe vajzave!”
Studimi i realizuar nga Together for Life nxjerr në pah vështirësitë që kanë hasur gratë në biznes në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Të dhënat e nxjerra nga 200 gra të anketuara theksojnë se sipërmarrjet e drejtuara nga gratë përballen me vështirësi të tilla si marketingu, legjislacioni, detyrime fiskale, problemet me financimin e të tjera.
Studimi ka bërë disa rekomandime që do të përmirësonin situatën e bizneseve të trajtuara nga gratë ndër të cilat marrjen ndërmarrjen e politikave shtetërore për lehtësira fiskale , rritjen e programeve që kanë në fokus mbështetjen me grante dhe kredi të buta për gratë veçanërisht për bizneset e reja, etj.

Të pranishmit përshëndetën ngritjen e platformës online “Women in Business – Albania” nga TFL dhe e inkurajuan Shoqatën të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të promovimit dhe fuqizimit të gruas.
Prej vitesh Shoqata Together for Life është angazhuar në promovimin e barazisë gjinore dhe mbështetjen e grave, pasi beson se fuqizimi ekonomik i gruas ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmirësimin e situatës social-ekonomike të familjeve dhe shoqërisë.
Konferenca e sotme është një nga aktivitet e organizuara nga Together for Life me në fokus gratë.