Shoqata “Together for Life” prezantoi gjetjet e raportit të realizuar me 1000 punonjës të sektorit Call Center në 4 qytete të Shqipërisë: Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Durrës.
Punonjës të këtij sektori, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile, evidentuan ndër të tjera mungesën e kushteve të përshtatshme në punë, një një tryezë diskutimi të mbajtur gjatë së martës.
Një ndër problemet parësore të paraqitura në studim është mungesa e organizimit të punonjësve për realizimin e lëvizjeve sindikale me qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“247 kompani call center operatorë ushtronin aktivitetin e tyre gjatë vitit të kaluar. Një pjesë e madhe e të punësuarve janë më arsim të lartë, rreth 42.6%. Nga anketat e realizuara me 1000 punonjës, kemi dalë në përfundimin se 46.7% e tyre punojnë me kohë të pjesshme, ndër të cilët 63% e të punësuarve janë femra. Një problem që kemi vërejtur është se punëmarrësit nuk janë të anëtarësuar në sindikata, si dhe nuk kanë informacionin e nevojshëm se si mund të organizohen në të tilla. Jemi shumë të interesuar që të ketë lëvizje sindikale në këtë sektor. Ne do të vazhdojmë të informojmë punonjësit e këtij sektori, pasi sa më të informuar të jenë, aq më shumë mundësi ka që lëvizjet sindikale të ndodhin. Një tjetër problem është se 22.3% e punëmarrësve në këtë sektor nuk u paguhen orët shtesë në turnin e dytë”, prezantoi Alma Kordoni, menaxhere programi pranë shoqatës “Together For Life”.
“Pagat në Call Center janë goxha të mira, janë mbi mesataren e pagave në Shqipëri. Lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, 31.8% e të intervistuarve kanë konfirmuar që kanë probleme shëndetësore të shkaktuara nga procesi i punës. Niveli arsimor i tyre ndikon edhe në nivelin e informimit mbi adresimin e ankesave, ku rreth 20% e totalit të ankesave në Inspektoriatin Shtetëror të Punës janë paraqitur ankesa nga ky sektor”, shtoi ajo.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Alketa Knuti ofroi mbështetjen e saj që gjetjet dhe propozimet e këtij raporti t’i përcillen qeverisë.
“Sa i përket deklarimit të pagës reale në sektorin Call Center, shpeshherë ajo nuk deklarohet për shkak të ujdive që bëjnë punëmarrësi me punëdhënësin, por kjo nuk duhet të ndodhë më, sepse punonjësi në këtë rast mund të humbë shumë nga të drejtat që i njeh ligji”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Qendrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social, Arian Hoxha tha se gjetjet e këtij studimi duhet të shërbejnë si sinjalizues për të rritur cilësinë e kushteve të punës.
“Çdo lloj gjetjeje që ka dalë nga ky studim nuk duhet të merret si kritikë ndaj punëdhënësve, por si sinjalizues që duhet të punojmë më tepër për rritjen e standardeve të kushteve të punës”, tha ai.
Krahas këtyre gjetjeve të evidentuara, përfaqësuesja e Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Irida Qosja, e cila është angazhuar gjatë procesit të monitorimit sipas skedës së ISHPSHSH në 4 qytete (Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Durrës) vlerësoi se këshillat e sigurisë së shëndetit në punë nuk janë gjithmonë funksionale.
“Marrëdhëniet e punës në sektorin Call Center janë shumë delikate. Punëmarrësit kanë nevojë të informohen për kushtet e punës. Ne e kemi ndjekur situatën në terren dhe na rezulton se fatmirësisht numri i të punësuarve në mënyrë informale është shumë i vogël. Megjithatë, bonuset që jepen në këtë sektor kompromentojnë masën e pagesës, që në shumë raste lejon hapësira për shmangien e deklarimit të pagës reale. Po ashtu, vërejmë se këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë nuk janë funksionale, kjo si pasojë edhe e mungesës së lëvizjeve sindikale brenda kompanive”, shtoi Qosja.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe një ish-punonjëse e sektorit Call Center, e cila vuri theksin tek elementet thelbësore siç është mbulimi me ndihmë mjekësore në ambientet e punës. Ilma Lamçe u tha të pranishmëve se nga eksperienca e saj në Call center, ndihma mjekësore është inekzistente në ambientet e punës.
“Kam punuar në sektorin Call Center në Vlorë dhe në Tiranë dhe problemet janë të shumta. Së pari, në ambientet e punës ku unë kam punuar nuk ka mjek, ndihma mjekësore mungon. Në çdo rast që punonjësit kishin probleme shëndetësore, ku ka pasur shumë të tilla, thirrej menjëherë ambulanca, sepse ndihma e shpejtë në ambientin e punës nuk ka ekzistuar. Tjetër problem janë edhe pushimet zyrtare. Nuk ka pushime për festa, në shumë raste merreshin sipas ligjit italian. Edhe pushimet verore, ka pasur raste ku punonjësit i kanë marrë në muajin tetor. Janë të rrallë ata që flasin hapur për këto problematika, sidomos para kamerave, sepse kanë frikën e largimit nga puna”.
Në mbështetje të këtyre diskutimeve, drejtorja e shoqatës “Together For life”, Eglantina Bardhi shtoi një tjetër aspekt të monitorimit, sipas të cilit, 90% e të punësuarve mbajnë familjet e tyre me pagën në Call Center dhe nuk janë studentët ata që më së shumti janë të punësuar në këtë sektor.
“Është krijuar imazhi se në Call Center punojnë vetëm studentët. Nga studimi, na ka rezultuar se një pjesë e madhe e punëdhënësve mbajnë familjet e tyre me pagën që përfitojnë nga ky sektor. Ajo që ne shohim me interes është që në një fazë të dytë të nxisim akoma më shumë lëvizjet sindikale”, deklaroi Bardhi.
Krahas problematikave të shumta në vendin e punës që u shfaqën gjatë këtij takimi, falimentimi dhe largimi i subjekteve Call Center nga Shqipëria për shkak të ndryshimit të legjislacionit në Itali mbetet një rrezik i shtuar, ku po humbim shumë vende pune.
Sipas Arjodita Rraboshtës, punëdhënëse në këtë sektor, 32% e subjekteve në Shqipëri janë mbyllur gjatë vitit 2017, duke bërë që një pjesë e madhe e punonjësve të ngelen pa punë.
Projekti dhe anketimi i punonjësve është zbatuar nga shoqata “Together For Life” në partneritet me ‘Olof Palme International Center” dhe mbështetje financiare të Sida-s dhe qeverisë suedeze.
Sektori Call Center në Shqipëri cilësohet si një nga më problematikët sa i përket kushteve të punës dhe zbatueshmërisë se kontratave, prandaj qëllimi i këtij projekti të realizuar në 4 qytete është ngritja e marrëdhënieve të qëndrueshme midis punëmarrësve dhe punëdhënësve, si dhe angazhimi i autoriteteve përgjegjëse për të përmirësuar situatën në këtë sektor.
Monitorimi i Zbatimit të të Drejtave të Punës në Sektorin Call Center