Denisa Canameti

Beteja me COVID-19 po bëhet gjithnjë e më vështirë për profesionistët e shëndetit, të cilët janë, pa diskutim, të parët më të rrezikuarit. Përvoja ndërkombëtare, veçanërisht ajo e Italisë, tregoi se, në përpjekjen e madhe për të shpëtuar jetë, mjekët janë njësoj viktima si pjesa tjetër e popullatës. Në Itali, aktualisht janë 24 mjekë që kanë humbur jetën për shkak të COVID-19. Raportohet se 11 ndër 24 mjekët e vdekur i përkasin shërbimit të familjes, pra janë mjekë familjeje në qendrat shëndetësore të zonave të ndryshme.

Njësoj të ekspozuar ndaj rrezikut janë edhe mjekët e familjes në Shqipëri. Rasti i Fierit, ku një familje (e konfirmuar tashmë me COVID-19) nuk tregoi të vërtetën se kishte udhëtuar drejt Italisë, çoi në karantinim jo vetëm të mjekut të Qendrës Shëndetësore, por edhe të personelit shëndetësor të Spitalit të Fierit, i cili i shërben një komuniteti prej rreth 300 mijë banorësh dhe mbulon 3 bashki: Fier, Patos dhe Roskovec. “Paralizimi” i tij për shkak të mungesës së mjekëve është një dëm jashtëzakonisht i madh.

Por, si po funksionon shërbimi parësor sot në Shqipëri? Ç’masa janë marrë? Si po e marrin shërbimin të sëmurët kronikë në kushtet e izolimit (Aktualisht janë rreth 400.000 pacientë që po trajtohen me recetë me rimbursim)? Sa të mbrojtur janë mjekët, qoftë sa u takon pajisjes me mjete mbrojtëse, ashtu edhe përditësimit me ecurinë e sëmundjes, aftësisë për të njohur simptomat dhe orientuar drejt rastet?

Shoqata “Together for Life” përmes një lidhjeje telefonike ka kontaktuar me një prej drejtuesve të një prej qendrave shëndetësore në kryeqytet për ta pyetur se si po funksionon puna në parësor.

“Ashtu sikurse edhe e keni parë, FSDKSH ka vënë në dispozicion të gjithë kontaktet e mjekëve të familjes dhe farmacistëve për të lehtësuar aksesin e pacientëve në shërbimin shëndetësor. Kjo është gjëja më e mirë që mund të bëhej në këtë situatë. Të kesh mundësinë të kontaktosh menjëherë me mjekun e familjes që, për më tepër, njeh historikun shëndetësor të çdo pacienti, është lehtësi shumë e madhe. Por është e rëndësishme të thuhet që kemi marrë masat që asnjë pacient të mos mbetet pa trajtimin e nevojshëm. Mendoni një pacient me diabet që mbetet qoftë dhe një vakt pa mjekim apo pacientë me probleme të zemrës, me sëmundje kronike të mushkërive, apo mjaft sëmundje që rëndohen menjëherë nëse mungon edhe tableta apo injeksioni i parë i radhës”.

I pyetur se si po funksionon puna e përditshme me pacientët dhe veçanërisht me pacientët kronikë, drejtuesi shprehet se masat e marra për mbrojtje nga COVID-19 e vënë theksin tek izolimi i gjithë popullatës e veçanërisht asaj në risk, si: të sëmuret kronikë dhe të moshuarit. Në këto kushte shërbimi më i mirë që mund t’u bëjë mjeku i familjes është dërgimi i medikamenteve pa u paraqitur në qendrat shëndetësore, si dhe këshillimi përmes telefonit.

“Prej më shumë se dy javësh dita e punës e një mjeku familjeje nis me evidentimin e datave të recetave për të sëmurët kronikë; më pas komunikohet me të sëmurin duke i mundësuar dërgimin e recetës me sms, WhatsApp, Viber etj. Për çdo rast që pacienti nuk ka mundësi të shkojë në farmaci për të marrë recetën, është personeli mjekësor që e kryen këtë detyrë në bashkëpunim me farmacistët, të cilët meritojnë gjithashtu një falënderim shumë të madh”.

Ndërsa se sa të njohur janë mjekët e familjes me simptomat e COVID-19 dhe a kanë zhvilluar trajnime apo seminare brenda Qendrave Shëndetësore për plotësimin e njohurive të mjekëve të familjes, ai thotë:

Mjekët e familjes, sikurse dhe gjithë pjesa tjetër e stafit të Qendrave Shëndetësore, ku përfshihen mjekët specialistë dhe infermierët janë njohur dhe po njihen me çdo përditësim të udhëzimeve që nxjerr Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Instituti i Shëndetit Publik në lidhje me COVID-19. Epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor u kanë bërë trajnim pothuajsë të gjithë mjekëve të familjes ende pa u identifikuar rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri. Mundësitë e informimit sot janë të pafundme, por po kujdesemi që të marrim si dhe shpërndajmë informacione zyrtare që kalojnë në sitën e profesionistëve. Puna jonë pas fillimit të epidemisë në vend konsiston në mbajtjen e të sëmurëve (sa të jetë e mundur) larg ambienteve ku mund të infektohen. Mjekësia është e pamundur të bëhet e gjitha në distancë, por është thelbësore në kushtet aktuale që popullata të marrë maksimumin e informacionit të mundur në distancë nga profesionistët e mjekësisë. Një komunikim e vlerësim i problemeve përmes telefonit nga mjekët e familjes bën të mundur uljen e fluksit të pacientëve nëpër Qendra Shëndetësore e Urgjenca. Na bëjnë optimistë dhe rezultatet e punës së deritanishme që kanë ulur ndjeshëm fluksin e vizitave në rrjetin e shërbimit shëndetësor publik, duke theksuar që përpiqemi të mos lëmë asnjë rast ambulator pa zgjidhje.

Por, a kanë mundur të pajisin personelin (mjekë, infermierë, recepsionistë, sanitarë) me masat mbrojtëse?

Në të gjitha Qendrat Shëndetësore janë marrë masat maksimale të mundura për të mbrojtur stafin nga infektimi. Nga masat e thjeshta, por mjaft të rëndësishme higjieno -sanitare, dezinifektimet e ambienteve e deri tek pajisjet. Në fillim ishte mjaft e rëndësishme që pacientet të ishin korrekt me mjekun për histori udhëtimi në vendet me risk, por sot nuk mjafton vetëm kjo. Pas çdo rasti të ri duhen zbuluar me kujdes gjithë kontaktet me qëllim minimizimin e përhapjes. Edhe këtu luan shumë rol mjeku i familjes, sepse zotëron një armë të fuqishme: konfidencialitetin e krijuar më herët me pacientin. Mjekët e familjes bashkë me epidemiologët e zonave po bëjnë punë të admirueshme në atë që quhet hetim epidemiologjik.

A po kryhen vizita në Qendrën Shëndetësore?

Në qendrën tonë dhe pothuaj në të gjitha qendrat e tjera nuk u mohohet shërbimi pacienteve që paraqiten për vizita akute. Kemi organizuar një vlerësim paraprak të pacientëve nga stafi ynë pa u futur në ambientet e brendshme të qendrës. E bëjnë këtë vlerësim infermieret duke u këshilluar si “rregull numër një” pacientëve mbajtjen e distancës. Pas çdo rasti të nevojshëm për vizitë, zbret mjeku i famijes për të komunikuar me pacientin po jashtë ambienteve e më pas, nëse vizita është e domosdoshme, pacientit i vihet maskë dhe vijohet shërbimi. Nuk duhet harruar që ka kategori pacientësh për shërbim të domosdoshëm në Qendra Shendetësore, si: mjekime plagësh, vizita kardiologjike që kërkojnë patjetër një mendim të kardiologut, shoqëruar me një elektrokardiogramë; infeksione që nuk kanë lidhje me COVID-19, por që kërkojnë trajtim të menjëhershëm; injeksione etj. Mjafton aq për të thënë sa shumë punë po bëhet. 

Nëse në një moment nuk jua hapim telefonin, bjerini përsëri sepse nuk është bezdi, por thjesht një pamundësi momenti, ishte porosia e fundit përpara se të ndërpritej lidhja telefonike.