Raporti i monitorimit të kontratës koncesionare për shërbimin e kontrollit mjekësor bazë “Check-Up”, i përgatitur nga Qendra për Fuqizimin Ligjor (CLE), në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Kërkime (AIR), analizon ecurinë e këtij koncesioni nga viti 2015 deri në vitin 2024. Gjetjet ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të parave publike, lidhjen mes pagesave dhe kontrolleve të kryera, si dhe transparencën në zbatimin e kontratës.
Bazuar në të dhënat zyrtare, sipas raportit, rezulton se shërbim i Check-Up-in gjatë periudhës 2015–2025 i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 8,05 miliardë lekë. Por a përputhen pagesat e kryera nga shteti për koncesionarin me shërbimet e parashikuara në kontratë?
Check-Up-i është një shërbim i cili ofrohet falas në qendrat shëndetësore publike në të gjithë vendin, por financohet nga buxheti i shtetit. Sipas mekanizmit të parashikuar në kontratë, pagesa minimale vjetore bazohet në 475.000 kontrolle, edhe në rastet kur numri i kontrolleve të kryera është më i ulët. Të dhënat e analizuara për periudhën 2015–2024 tregojnë se ky numër është tejkaluar vetëm në vitin 2019. Kjo e dhënë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është zbatuar mekanizmi i pagesave, i cili rezulton që të ketë sjellë dëme për buxhetin e shtetit dhe për operatorin privat vetëm përfitime.
Këtë shqetësim se ka ngritur disa herë në raportet e tij edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili ka evidentuar pagesa për shërbime të pakryera dhe ka rekomanduar rishikimin e kushteve të pagesës. Ky konstatim e bën edhe më të rëndësishme transparencën mbi mënyrën se si llogariten pagesat, si verifikohen kontrollet e kryera dhe çfarë masash janë marrë nga autoriteti kontraktor për të adresuar problematikat e evidentuara.
Një tjetër element i rëndësishëm që ngrihet në raport lidhet me ndryshimin e kontratës në vitin 2016. Me këtë ndryshim, grupmosha përfituese u zgjerua në 35-70 vjeç dhe paketës së shërbimeve iu shtuan edhe dy analiza, ndërsa çmimi për njësi mbeti i pandryshuar. Ky ndryshim ngre nevojën për të kuptuar më mirë se si janë përllogaritur kostot e shërbimit pas zgjerimit të grupmoshës dhe shtimit të analizave, si dhe nëse ka pasur vlerësime për ndikimin e këtyre ndryshimeve në koston dhe rezultatet e programit.
Raporti evidenton se gjatë monitorimit të kontratës së koncesionit dhe anekseve të tij nuk është arritur të identifikohet ndonjë studim i disponueshëm që të vlerësonte nëse ky koncesion përfaqëson vlerën më të mirë për paratë publike.
Për një kontratë që u ka kushtuar taksapaguesve deri në 2024 rreth 8,05 miliardë lekësh dhe që shifra pritet të rritet në vitet në vijim, pasi ky koncesionar përfundon në vitin 2027, transparenca nuk duhet të kufizohet vetëm te shumat e paguara dhe numri i kontrolleve të raportuara, ngre shqetësimin Raporti. Është e rëndësishme të ketë të dhëna të qarta mbi kostot, shërbimet e ofruara, cilësinë e tyre dhe rezultatet që kanë sjellë për shëndetin e qytetarëve.
Dhe pyetja kryesore nuk është vetëm sa para ka shpenzuar shteti për Check-Up-in, por çfarë ka marrë qytetari në këmbim të tyre. Përgjigjja kërkon monitorim të vazhdueshëm të shpenzimeve dhe realizimit të shërbimeve, verifikim të të dhënave nga institucionet përgjegjëse dhe publikim të rezultateve. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si përdoren paratë e tyre dhe nëse ky program përmbush qëllimin për të cilin financohet: parandalimin dhe zbulimin e hershëm të problemeve shëndetësore.
Në fund, çdo lek i shpenzuar nga buxheti i shtetit duhet të justifikohet me shërbime të verifikueshme dhe rezultate konkrete. Për një program si Check-Up-i, kjo do të thotë jo vetëm të numërohen kontrollet, por edhe të garantohet se pagesat përputhen me shërbimet e ofruara dhe se qytetarët përfitojnë realisht prej tyre.
Publikimi i raportit krijon mundësi për të hapur diskutime mbi nevojën për monitorim të pavarur dhe llogaridhënie më të fortë në kontratat që financohen nga taksat e qytetarëve.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm se çfarë shërbimesh u ofrohen falas, por edhe sa kushtojnë ato për buxhetin e shtetit dhe si garantohet që paratë publike përdoren në interesin e tyre.



