U realizua dje në ambientet e Qendrës Kulturore të Bashkisë Kukës takimi prezantues i projektit “Qytetarët të Parët: Bashkë për një qeverisjen vendore Transparente!”.
Projekti mbështetet nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM Albania në partneritet me Faktoje dhe Concept – Center for Social Research and Policy Making, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.
20 aktorë publikë dhe jopublikë u bënë pjesë e takimit, duke u njohur në mënyrë direkte me aktivitetet kryesore të projektit, rezultatet e pritshme etj. Gjatë takimit, një hapësirë e dedikuar iu kushtua pyetjeve nga pjesëmarrësit dhe ndërtimit të hapësirave të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve lokalë.
Projekti synon të kontribuojë në rritjen e transparencës buxhetore të Bashkisë Kukës nëpërmjet forcimit të rolit monitorues të aktorëve lokalë jopublikë në proceset buxhetore të bashkisë së tyre. Për të arritur këtë qëllim projekti do të mbështetet në tre objektiva specifike: a) Të promovojë parimet e transparencës dhe llogaridhënies për një qeverisje vendore sa më efektive për qytetarët e Bashkisë Kukës; b) Të monitorojë dhe analizojë zbatimin e buxhetit vjetor të Bashkisë Kukës; si edhe c) Të rrisë kapacitetin e aktorëve lokale jo publikë për të luajtur një rol proaktiv në proceset buxhetore të bashkisë së tyre.
Aktivitetet e projektit targetojnë aktorë lokalë publikë dhe jopublikë, duke synuar të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien në nivel vendor por edhe për të garantuar që proceset buxhetore të reflektojnë maksimalisht interesat e qytetarëve të bashkisë Kukës.