Për vite me radhë, autoambulanca e Qendrës Shëndetësore Dajç qëndroi jashtë funksionit, pavarësisht se mund të ofronte kujdes shëndetësor në banesë, të transportonte pacientë dhe të shërbente në situata emergjente. Arsyeja ishte sa e thjeshtë, aq edhe vendimtare: mungesa e një pozicioni pune për shofer në organikën e institucionit.
Institucionet përgjegjëse të identifikuara për adresimin e problematikës ishin Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër, Operatori Rajonal i Kujdesit Shëndetësor, Fondi Rajonal i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturat e tjera përgjegjëse për miratimin e organigramës. Advokimi për këtë çështje u konsiderua me rëndësi të veçantë pasi mungesa e autoambulancës ndikonte drejtpërdrejt në aksesin e komunitetit në shërbime shëndetësore, veçanërisht për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, banorët e zonave rurale dhe gjatë emergjencave natyrore si përmbytjet, të cilat janë të shpeshta në zonën e Dajçit.
Anëtarët e CRN-së u përfshinë aktivisht në identifikimin dhe dokumentimin e problematikës përmes diskutimeve në takimet periodike, ndarjes së rasteve konkrete nga komuniteti dhe ofrimit të informacionit nga institucionet përkatëse. Përfaqësuesit e qendrës shëndetësore prezantuan situatën ekzistuese dhe pasojat që kishte mosfunksionimi i autoambulancës për qytetarët, ndërsa anëtarët e tjerë të rrjetit kontribuuan në evidentimin e nevojave të komunitetit dhe në mbështetjen e iniciativës së advokimit. Në kuadër të procesit u zhvilluan komunikime dhe u përcollën kërkesa pranë institucioneve përgjegjëse për të adresuar problemin dhe për të mundësuar ndryshimin e strukturës organizative që do të lejonte funksionalizimin e mjetit.
Procesi i advokimit rezultoi i suksesshëm. Si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të aktorëve lokalë dhe anëtarëve të CRN-së, u miratua përfshirja e pozicionit të shoferit në organigramën e institucionit përkatës, duke hequr pengesën kryesore që kishte mbajtur autoambulancën jashtë funksionit për vite me radhë. Ky rezultat përfaqëson një arritje konkrete të advokimit në nivel lokal dhe krijon kushtet për vënien në funksion të plotë të autoambulancës në shërbim të komunitetit.
Kjo nismë dëshmon se edhe një pengesë administrative mund të kapërcehet kur komuniteti dhe institucionet bashkëpunojnë për një qëllim të përbashkët: përmirësimin e aksesit në shërbime shëndetësore.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit SOLIDAR-Bashkë në emergjencat shëndetësore, një projekt i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që implementohet nga GFA Consulting Group GmbH në partneritet me Together for Life.



