Shoqata “Together for Life” në bashkëpunim me gazetën ‘Shëndet+’ zhvilluan sot panairin e informimit dhe sensibilizimit të qytetarëve për situatën mjedisore në vend dhe pasojat shëndetësore që shkaktohen nga ndotja e ajrit e mjedisit.
Nga një studim më i fundit, realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, sëmundjet më të përhapura si pasojë e ndotjes janë: raste të fëmijëve lindur me anomali, probleme astmatike, probleme pulmonare, probleme me lëkurën, shikimin, hipertensionin, sëmundjet malinje etj.
Shumë qytetarë shprehën interes për t’u njohur me materialet publikuar në gazetën ‘Shëndet+’ dhe vlerësuan që këto materiale jepen falas, pasi kështu kanë mundësinë të informohen më shumë.
Një qytetare shprehet: “Jam shumë e interesuar për lajmet më të fundit apo informacionet shëndetësore. Nëna nuk ka mundësi të përballojë çdo vizitë tek mjeku, por të paktën mund të informohemi se si t’i parandalojmë apo kurojmë vetë disa sëmundje që vijnë nga plehrat që hedhim vend e pa vend apo infeksionet që na vijnë nga ambienti që e kemi ndotur me duart tona”.
Përveç informimit, qytetarëve iu dhuruan gazeta falas, me përmbajtje të suplementeve të përgatitura nga stafi i gazetës ‘Shëndet+’ për raportet, të dhënat më të fundit si dhe intervistave me mjekët më të njohur në fushën e shëndetësisë.
Çdo qytetar duhet të ndërgjegjësohet që ambienti përreth tij dhe mënyra si trajtohet ndikon tek ai dhe të tjerët. Prandaj apeli që Shoqata “Together for Life” u bën të gjithë qytetarëve, është rritja e kujdesit dhe mirëmbajtjes së mjedisit, jo vetëm sot, por çdo ditë të vitit. Ai na përket të gjithëve, le ta ruajmë natyrën dhe përfitimet që ajo na fal!
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Ajër i pastër në Tiranë; më shumë ecje, biçikleta dhe transport urban”, mundësuar nga program Achieve dhe zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit në Shqipëri, REC Albania me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Shqipëri.