Fuqizimi ekonomik dhe social i grave dhe vajzave në Shqipëri përfaqëson një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtësisë sociale, duke qenë njëkohësisht një detyrim ligjor dhe politik që buron nga angazhimet kombëtare dhe ndërkombëtare të vendit.

Ofrimi i shërbimeve publike të ndjeshme ndaj nevojave të ndryshme të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, përbën një element kyç për përmbushjen e objektivave të Qeverisë si dhe të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), duke kontribuar në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Kuadri ndërkombëtar, përfshi direktivat e Bashkimit Europian, e vendos Shqipërinë përballë detyrimit për të hartuar dhe zbatuar politika efektive, për të garantuar buxhetim të përgjigjshëm gjinor dhe për të zhvilluar mekanizma të qëndrueshëm monitorimi dhe vlerësimi të ndikimit të këtyre politikave. Ky proces kërkon në mënyrë të drejtpërdrejtë përmirësimin e të drejtave, mundësive dhe aksesit të grave në të gjitha fushat e jetës ekonomike, sociale dhe politike. Vitet e fundit, kuadri ligjor dhe strategjik kombëtar ka pësuar përmirësime të ndjeshme, duke parashikuar instrumente konkrete për garantimin dhe promovimin e barazisë gjinore, që nga legjislacioni për barazinë gjinore e deri te strategjitë sektoriale në fushat e punësimit, bujqësisë, sipërmarrjes, mbrojtjes sociale dhe shërbimeve të kujdesit. Në këtë kontekst, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor përbën një nga mekanizmat kryesorë për përkthimin e angazhimeve ligjore dhe strategjike në masa konkrete financiare, duke siguruar që politikat publike të adresojnë në mënyrë efektive nevojat dhe pabarazitë gjinore.

Buxhetimi gjinor për vitin 2026

Në buxhetin e shtetit për vitin 2026, Qeveria shqiptare angazhohet se do të vijojë zbatimin e politikave për adresimin e problematikave me bazë gjinore në sektorë të ndryshëm të politikave publike. Në relacionin shoqërues të buxhetit theksohet se gjatë hartimit të tij është treguar vëmendje e posaçme ndaj përmbushjes së objektivave afatmesme të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore 2021–2030.

Trendi i parashikimeve buxhetore që adresojnë çështje të ndjeshme gjinore, sipas relacionit të përgatitur nga Ministria e Ekonomisë për Projekt-Buxhetin e viti 2026, “ka një rritje kryesisht të reflektuar në programe buxhetore për të gjithë sektorët në nivel qendror në: mbrojtje sociale, arsim, shëndetësi, rend publik, bujqësi, drejtësi, etj. Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor është përfshirë në 85 programe buxhetore, nga 131 programe buxhetore gjithsej. Njëmbëdhjetë ministri linje dhe tridhjetë e një institucione qendrore kanë integruar buxhetimin e përgjigjshëm gjinor (BPGJ) në të paktën një program buxhetor. Totali i buxhetit gjinor të parashikuar për vitin 2026 është 84,090,082,844 lekë, që përbën 9.5% të buxhetit total kombëtar, në të njëtin nivel që ishte parashikuar edhe për vitin 2025. I detajuar ky buxhet shpërndahet në pesë shtyllat kryesore si më poshtë:

  • Arsimi (45%) dhe Ekonomia, Kultura dhe Inovacioni (45%) janë sektorët me përfshirjen më të madhe gjinore, duke reflektuar investime të drejtpërdrejta në fuqizimin ekonomik dhe profesional të grave;
  • Mbrojtja Sociale (23%) zë një pjesë të konsiderueshme të fondeve gjinore, duke përfshirë programet e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe mbështetjes së familjeve të drejtuara nga gra;
  • Shëndetësia (30%) mbetet një tjetër fushë prioritare, me fonde të dedikuara për kujdesin parësor dhe programet shëndetësore për nënat;
  • Politika e Brendshme (8.8%) dhe Mbrojtja (3.8%) përfshijnë fonde për forcimin e përfaqësimit të grave në strukturat e sigurisë dhe për mbrojtjen e viktimave të dhunës;
  • Bujqësia (6.5%) përqendrohet në rritjen e pjesëmarrjes së grave në shërbimet këshilluese dhe skemat mbështetëse.

Nga parashikimet buxhetore tek nevoja për zbatim sistematik dhe matje të ndikimit të politikave publike

Pavarësisht optimizmit të reflektuar në parashikimet e Buxhetit të vitit 2026, përvoja e viteve të fundit tregon se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në Shqipëri vazhdon të mbetet kryesisht një praktikë formale. Gjetjet e Raportit “Fuqizimi ekonomik dhe social i grave në Shqipëri – Analizë e efikasitetit të politikave dhe fondeve publike”, i realizuar nga shoqata Together for Life gjatë vitit, evidentojnë se mungesa e zbatimit sistematik, e indikatorëve të matshëm dhe e mekanizmave të qëndrueshëm të monitorimit dhe vlerësimit kufizon ndjeshëm ndikimin real të politikave publike mbi reduktimin e pabarazive gjinore. Raporti – i pari dhe i vetmi i këtij lloji në Shqipëri – argumenton se objektivat gjinore shpesh nuk shoqërohen me analiza të qarta të ndikimit gjinor apo raporte periodike mbi rezultatet e arritura, duke e lënë barazinë gjinore si një objektiv kryesisht deklarativ.

Bazuar në rekomandimet e raportit, gjatë vitit 2026 dhe më tej, institucionet përgjegjëse pritet të trajtojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si një instrument funksional të politikëbërjes dhe jo vetëm si një kërkesë procedurale. Kjo nënkupton integrimin e analizës gjinore në të gjitha fazat e ciklit buxhetor, përcaktimin e objektivave të matshëm dhe indikatorëve të performancës, si dhe forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit me pjesëmarrjen e institucioneve dhe shoqërisë civile. Vetëm përmes kësaj qasjeje të qëndrueshme dhe të bazuar në evidencë, barazia gjinore mund të përkthehet nga një angazhim formal në një rezultat të matshëm dhe të qëndrueshëm, duke kontribuar realisht në fuqizimin ekonomik dhe social të grave dhe vajzave.

Edhe relacioni i buxhetit të shtetit nënvizon se “në periudhën 2026–2028, prioritetet kryesore janë rritja e kapaciteteve analitike për vlerësimin gjinor në çdo ministri, integrimi i treguesve gjinorë në programet buxhetore vjetore dhe forcimi i mekanizmave të monitorimit dhe raportimit.” Këto parashikime tregojnë përkushtim ndaj përmirësimit të politikave me fokus gjinor, por vlerësimi i efektivitetit të tyre mbetet një sfidë thelbësore.