Së bashku me një grup të rinjsh nga Shkolla profesionale “Nazmi Rushiti” Peshkopi vizituam fabrikën e përpunimit të qumështit Ngota, e cila prej vitesh sjell në treg produktet më të mira dhe më cilësore të bulmetit në tregun vendas.
Kjo fabrikë, ndër më të mëdhatë në zonën e Veriut, ofron produkte cilësore dhe të sigurta bulmeti, jo vetëm në zonën e Dibrës, por në të gjithë vendin. Të rinjtë u njohën me teknologjinë më të përparuar e cila përdoret në këtë fabrikë dhe me proceset e ndryshme nëpër të cilat kalon përpunimi i qumështit dhe prodhimi i nënprodukteve të tij.
Me qindra familje nga zonat rurale e Dibrës mbështeten nga kjo sipërmarrje, e cila u mundëson veçanërisht fermerëve të vegjël të gjejnë një treg të qëndrueshëm për shitjen e qumështit dhe të sigurojnë të ardhura të përhershme.
Përfaqësuesit e fabrikës së qumështit “Ngota” i mirëpritën nxënësit në ambientet e brendshme të fabrikës dhe i nxitën ata të realizojnë Praktika Profesionale pranë këtij biznesi, me qëllim rritjen e aftësive të tyre praktike.


Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Të luftojmë krimin e organizuar dhe mbështesim zhvillimin e të rinjve në Dibër”, mbështetur nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, i cili ka për qëllim rritjen e ndërveprimit, rrjetëzimin dhe bashkëpunimin mes të rinjve dhe bizneseve lokale, duke ofruar mundësi trajnimi dhe praktika profesionale, si dhe për punësimin e të rinjve.
Aktivitete të ngjashme do të zhvillohen në ditët në vijim edhe në të tjera biznese të Dibrës, në të cilat të rinjtë nga shkolla profesionale do të njihen me profile pune të ndryshme, për t’u përgatitur për tregun e punës pasi të diplomohen.