Pas një situate të vështirë gjatë djeshme (8 shtator 2026), ku në territorin e Bashkisë Shkodër u evidentuan disa vatra zjarri, sot (9 shtator 2026) situata paraqitet e qetë dhe pa vatra aktive.
Gjatë ditës së djeshme, u bë i mundur menaxhimi dhe shuarja e vatrave në Oblikë, Muriqan dhe Bërdicë, ndërsa vatra në Bardhaj, mbi rezervuar, vijoi për një periudhë të ishte aktive, pa paraqitur rrezik për banesat. Falë ndërhyrjes në terren, u shpëtuan edhe gjashtë banesa të rrezikuara nga zjarri në Bardhaj.
Mirënjohje zjarrfikësve, Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, punonjësve të Bashkisë, vullnetarëve dhe banorëve që kontribuuan gjatë gjithë kësaj situate.
Edhe pse sot situata është e qetë, zona vijon të monitorohet për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm. Kjo situatë na kujton se gatishmëria për emergjencat nuk fillon vetëm në momentin kur shfaqet rreziku. Ajo ndërtohet çdo ditë, edhe në nivel komunitar.
Në këtë kuadër, Rrjeti i Qëndrueshmërisë së Komunitetit (Community Resilience Network – CRN) Dajç, i mbështetur dhe fuqizuar përmes punës së Together for Life, është një mekanizëm komunitar që kontribuon në forcimin e komunikimit, informimit dhe gatishmërisë në nivel lokal.
Rrjeti është vigjilent dhe aktiv në komunikim dhe këshillim me komunitetin në Dajç, në mënyrë që, në rast të një emergjence, informacioni i saktë dhe nevojat e komunitetit të përcillen dhe të adresohen sa më shpejt.
CRN Dajç shërben si një urë lidhëse mes komunitetit, institucioneve dhe strukturave të emergjencave, duke ndihmuar në:
- përcjelljen e informacionit të saktë dhe në kohë;
- identifikimin e personave dhe familjeve që mund të kenë nevojë për mbështetje të veçantë;
- evidentimin e nevojave dhe problematikave në komunitet;
- forcimin e komunikimit dhe koordinimit në rast emergjence;
- rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin dhe gatishmërinë ndaj emergjencave.
Një komunitet i përgatitur nuk zëvendëson strukturat e emergjencës. Përkundrazi, ai i ndihmon ato të reagojnë më mirë dhe më shpejt aty ku nevojitet.
Për të gjitha komunitetet në zonat e prekura nga zjarret apo në zona që mund të përballen me rrezik, apelojmë për qetësi, kujdes dhe përgjegjshmëri:
• Të ndiqen vetëm informacionet nga burimet zyrtare.
• Të mos shpërndahen lajme apo pamje të pakonfirmuara që mund të krijojnë panik.
• Të respektohen udhëzimet e autoriteteve.
• Të mos afrohemi në zonat e zjarrit për të filmuar apo fotografuar.
• Të tregohet kujdes i veçantë për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe personat e tjerë që mund të kenë nevojë për mbështetje.
Sot situata është e qetë. Por gatishmëria duhet të vazhdojë.
Qetësi. Informim. Solidaritet. Gatishmëri.
Together for Life | Rrjeti i Qëndrueshmërisë së Komunitetit (Community Resilience Network – CRN) Dajç



