Reforma në sistemin e vlerësimit të aftësisë së kufizuar në Shqipëri shënoi një hap të rëndësishëm drejt adoptimit të modelit bio-psiko-social, i cili synon kalimin nga një qasje e bazuar vetëm në diagnoza mjekësore drejt një modeli që vlerëson funksionalitetin, pjesëmarrjen dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara. Ky ndryshim u prezantua si një avancim në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke synuar një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë, që adreson më mirë nevojat për mbështetje, akses dhe integrim.

Megjithatë, analiza e të dhënave mbi zbatimin e kësaj skeme, e ofruar nga shoqata Together for Life përmes raportit “Mbi efektet e zbatimit të skemës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin bio-psiko-social”, tregon se, përtej progresit në nivel politikash, mbeten sfida të konsiderueshme në praktikë që kufizojnë efektivitetin e reformës dhe ndikimin e saj real në jetën e përfituesve.

Një nga treguesit kryesorë të efektivitetit të skemës lidhet me nivelin e përfitimeve financiare. Të dhënat tregojnë se pagesat direkte për personat me aftësi të kufizuara variojnë nga 8,739 lekë në muaj për individët me kufizime të lehta deri në 17,478 lekë për ata me kufizime më të rënda. Në rastet kur përfshihet edhe pagesa për ndihmësin personal dhe paketat përkatëse të shërbimeve, mbështetja mund të arrijë deri në rreth 54,956 lekë në muaj. Megjithatë, krahasimi i kësaj mbështetjeje me treguesit ekonomikë tregon një nivel të ulët përfitimesh: ajo përfaqëson vetëm 10-21% të pagës mesatare dhe 22-44% të pagës minimale në vend. Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, ku mbështetja financiare arrin në 30-40% të pagës mesatare, niveli në Shqipëri mbetet dukshëm më i ulët, duke reflektuar një hendek të konsiderueshëm në standardet e mbrojtjes sociale. Në këtë kuadër, skema aktuale funksionon më shumë si një mekanizëm i mbështetjes minimale sesa si një instrument që garanton jetesë dinjitoze dhe përfshirje të plotë sociale dhe ekonomike.

Përtej nivelit të ulët të përfitimeve, një problem thelbësor lidhet me faktin se mbështetja financiare nuk reflekton kostot reale të aftësisë së kufizuar. Në veçanti, mungojnë përllogaritjet për pajisjet ndihmëse, si karrocat me rrota apo mjete të tjera të domosdoshme për pavarësinë dhe funksionalitetin e personave me aftësi të kufizuara. Edhe pse këto nuk janë shpenzime mujore, ato janë të konsiderueshme dhe shpesh të papërballueshme, duke krijuar barrë të rëndë për familjet. Mungesa e përfshirjes së këtyre kostove në skemën e mbështetjes tregon se sistemi nuk adreson në mënyrë të plotë nevojat reale, duke rritur rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social, veçanërisht për individët që vijnë nga familje me vështirësi socio-ekonomike.

Shërbimet sociale: hallka e munguar e modelit bio-psiko-social

Modeli bio-psiko-social parashikon që, përveç mbështetjes me pagesa mujore, të ngrihet një rrjet i gjerë shërbimesh të integruara që adresojnë dimensionet sociale dhe funksionale të aftësisë së kufizuar. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar disa vite nga futja e sistemit të ri të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, të dhënat zyrtare tregojnë se ky komponent mbetet ende i pazhvilluar. Rrjeti i shërbimeve psiko-sociale, aftësuese dhe riaftësuese vijon të jetë i kufizuar dhe i përqendruar kryesisht në zona urbane, duke lënë shumë territore dhe kategori përfituesish pa mbështetje të mjaftueshme. Kjo situatë tregon një mospërputhje të qartë mes qëllimit të reformës dhe kapaciteteve reale të sistemit për ta zbatuar atë në praktikë. Në këtë mënyrë, sistemi i ri, ashtu si ai i mëparshmi, vazhdon të mbështetet kryesisht në pagesat cash, pa arritur të ofrojë një qasje të plotë dhe transformuese për përfshirjen sociale.

Një nga mekanizmat kyç të parashikuar për zhvillimin e shërbimeve sociale në vend është Fondi Social, i cili ka në qendër mbështetjen financiare të bashkive për krijimin, zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara dhe grupet e tjera në nevojë. Ky fond synon të nxisë zhvillimin e shërbimeve komunitare, si qendrat ditore, shërbimet e asistencës personale, shërbimet e kujdesit në shtëpi, rehabilitimi psiko-social, si dhe programe të integrimit social dhe ekonomik. Në thelb, Fondi Social është konceptuar si një instrument që fuqizon pushtetin vendor për të identifikuar nevojat specifike të komunitetit, përfshirë ato të personave me aftësi të kufizuara, dhe për t’iu përgjigjur atyre në mënyrë të targetuar dhe të qëndrueshme, duke reduktuar varësinë nga shërbimet rezidenciale dhe duke promovuar përfshirjen sociale. Megjithatë, zbatimi i këtij mekanizmi rezulton ende në hapat fillestarë. Edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pranohet se vërehen sfida të lidhura me kapacitetet e kufizuara të bashkive për hartimin dhe menaxhimin e projekteve cilësore, mungesën e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore, si dhe me procedurat komplekse dhe ndonjëherë të paqarta të aplikimit dhe përfitimit të fondeve. Po ashtu, shpërndarja jo gjithmonë e barabartë e fondeve dhe mungesa e monitorimit të qëndrueshëm ndikojnë në efektivitetin e këtij instrumenti, duke bërë që nevojat reale të grupeve përfituese të mos adresohen plotësisht.

Të dhënat, sipas raportit, tregojnë se Fondi Social nuk është i konsoliduar në të gjitha bashkitë dhe shpesh nuk ekziston si një fond i veçantë buxhetor. Në shumë raste, financimi i shërbimeve sociale realizohet përmes programeve të tjera buxhetore, duke krijuar paqartësi dhe mungesë transparence. Vetëm një pjesë e kufizuar e bashkive e përdorin fondin sipas përcaktimeve ligjore, ndërsa mungesa e udhëzimeve të qarta dhe kapaciteteve administrative ka çuar në praktika të fragmentuara dhe joefektive.

Megjithatë, një analizë e plotë dhe e thelluar e ecurisë së sistemit dhe sfidave me të cilat ai përballet ende nuk është e mundur dhe kjo për shkak të mungesës së të dhënave të detajuara dhe transparencës mbi shërbimet sociale dhe financimet. Pikërisht, kjo përbën edhe një nga pengesat kryesore për hartimin e politikave efektive dhe të bazuara në evidencë. Në mungesë të një sistemi të standardizuar dhe të aksesueshëm informacioni, bëhet e vështirë monitorimi i performancës, identifikimi i boshllëqeve dhe sigurimi i llogaridhënies institucionale. Në këtë kontekst, ndonëse reforma drejt modelit bio-psiko-social përfaqëson një hap pozitiv, zbatimi i saj në praktikë mbetet i pjesshëm. Hendeku midis kuadrit ligjor dhe realitetit në terren – i karakterizuar nga financime të pamjaftueshme, mungesë shërbimesh të integruara dhe dobësi në mekanizmat e zbatimit – thekson nevojën për një angazhim më të fortë institucional dhe financiar, në mënyrë që kjo reformë të përkthehet në përmirësime konkrete për personat me aftësi të kufizuara.

* Ky publikim është përgatitur nga Together for Life në kuadër të Programit të Mbështetjes Themelore, i mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze në Tiranë. Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës Suedeze në Tiranë.