Organizatat e shoqërisë civile me fokus mbrojtjen e mjedisit dhe OJF-të aktive në rrjetin për cilësinë e ajrit nga Bashkitë e zbatimit të projektit dhe zona të tjera të Shqipërisë, ishin pjesëmarrëse në trajnimin 2-ditor mbi “Ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndet” të organizuar nga Shoqata Together for Life, partnere e Mileukontakt Shqipëri, Qendra EPER dhe GO2, në zbatim të projektit “Ajër i pastër jetë e shëndetshme”, në kuadër të programit Green-AL.

Projekti financohet nga Agjensia Ndërkombëtare Suedese për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedese, i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me CISP Sviluppo dei Popoli, VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.

Fokusi i trajnimit u orientua mbi arritjen e output-eve dhe rekomandimeve mbi iniciativat që duhet të ndëmerren në komunitet lidhur me problematikat shqetësuese në zonat përkatëse dhe masat për përmirësimin e situatës së ndotjes së ajrit dhe advokimit mbi mbrojtjen e cilësisë së ajrit.

Organizatave pjesëmarrëse ju mundësua dhënia e inputeve nga eksperti i shëndetit lidhur me ndikimet specifike në shëndet që vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit dhe faktorët e rriskut që ndërlidhen. Gjithashtu, një pikë e rëndësishme e trajnimit ishte edhe prezantimi i metodologjisë së studimit që do të realizohet në kuadër të projektit lidhur me ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndet dhe se si mund të advokohet pranë institucioneve vendimmarrëse.

Gjatë ditës së dytë të trajnimit pjesëmarrësit kontribuan në formë praktike pranë dy Qendrave të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, përmes aplikimit të pyetësorëve në komunitet për arritjen e të dhënave lidhur me njohjen që ka komuniteti mbi ndotjen e ajrit, perceptimin mbi impaktin e cilësisë së ajrit në shëndet dhe mbi rolin e vendimarrësve kombëtare dhe ndërkombëtarë. Këto të dhëna, së bashku edhe me të dhëna nga Bashkitë e tjera të zbatimit të projektit, janë integruar në raport.

Ndër pikat e theksuara gjatë trajnimit lidhen me nxitjen e nismave përsa i përket:

  • Rritjes së njohurive të punonjësve të shëndetit mbi problematikat që sjell ndotja e ajrit;
  • Arritjes së të dhënave mbi sëmundjet respiratore të pacientëve që mund të ndikohen negativisht nga ajri i ndotur bazuar edhe mbi anamnezën e tyre;
  • Organizimin e dëgjesave publike lidhur cilësinë e ajrit me aktorët kryesorë për vlerësimin e situatës;
  • Aksioneve dhe aktiviteteve konkrete në terren të ndërmarra nga institucionet lokale lidhur me përmirësimin e cilësisë së ajrit;
  • Promovimit dhe edukimit mbi çështjet e cilësisë së ajrit nga mediat lokale dhe ato online dhe theksimi i rolit të komunitetit në advokim.