Në kuadër të projektit “Të luftojmë krimin e organizuar dhe mbështesim zhvillimin e të rinjve në Dibër”, mbështetur nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, Shoqata Together for Life do të organizojë në Dibër me të rinjtë e shkollave të mesme aktivitete që kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit të tyre mbi rrezikshmërinë e krimit të organizuar.
Përmes përfshirjes së të rinjve në diskutime dhe lojërave interaktive do të ndahen me ta informacione të përshtatur për moshën e tyre rreth mënyrave dhe mjeteve që përdorin grupet kriminale për të përfshirë të rinjtë në akte të paligjshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, për faktorët e rrezikut dhe pasojat e përfshirjes në aktivitete të tilla.
Përmes këtij projekti, TFL synon të adresojë shkaqet kryesore të ekspozimit të të rinjve ndaj krimit të organizuar, si mungesa e mundësive për t’u integruar në ambientin ku jetojnë, mungesën e të ardhurave, shkallën e ulët të arsimimit, analfabetizmin funksional, të cilat i shtyjnë ata të angazhohen në aktivitete të paligjshme dhe të bien pre e krimit të organizuar apo ekstremizmit të dhunshëm.
Projekti synon rritjen e ndërveprimit, rrjetëzimin dhe bashkëpunimin mes të rinjve dhe bizneseve lokale, duke ofruar mundësi trajnimi dhe praktika profesionale, si dhe për punësimin e të rinjve.



