Shoqata Together for Life dhe BIRN Albania mbyllën me sukses trajnimin tre-ditor ‘Forcimi i kapaciteteve për t’u përfshirë në hartimin dhe monitorimin e politikave buxhetore në nivel lokal dhe qendror’ me pjesëmarrjen e 21 organizatave lokale të shoqërisë civile. Qëllimi i trajnimit ishte forcimi i aftësive teknike të organizatave të shoqërisë civile në analizimin dhe monitorimin e politikave dhe buxheteve në nivel vendor dhe qendror në fushat e shëndetësisë dhe arsimit.
Në ditën e parë, qëllimi i trajnimit ishte rritja e njohurive dhe forcimi e kapaciteteve të pjesëmarrësve në fushën e advokatisë dhe mbikëqyrjes për t’i kthyer organizatat lokale në zëdhënëse të fuqishme për nevojat dhe shqetësimet e komuniteteve të cilat përfaqësojnë. Trajnimi u shërben pjesëmarrësve si një platformë për të mësuar dhe ndarë përvojat dhe praktikat më të mira të bashkëpunimit mes medias dhe organizatave të shoqërisë civile për të advokuar për çështje të rëndësishme që shqetësojnë komunitetin, kryesisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.
Ndër të tjera eksperti R. Ngjela ndau me pjesëmarrësit informacione për:
  • Gazetarinë qytetare (Citizen journalism)
  • Rolin e medias si partner dhe bashkëpunëtor i OSHC-ve për ngritjen dhe mbështjen e iniciativave advokuese
  • Bashkëpunimi media – OSHC në investigimin e aferave dhe veprimeve joligjore të institucioneve publike

Dita e dytë u fokusua në aftësimin e përfaqësuesve të organizatave lokale për të shkruar dhe implementuar projekte të fokusuara në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Synimi i trajnimit ishte forcimi i kapaciteteve të brendshme të organizatave për shkrim dhe implementim projektesh në fushat e advokacisë, dhe pjesëmarrjes në hartimin monitorimin e politikave lokale dhe qendrore në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Po ashtu, trajnimi synoi forcimin e organizatave lokale për rritjen e qasjes ndaj fondeve që kontribuojnë rritjen e rolit të tyre si zëdhënëse të fuqishme për nevojat dhe shqetësimet e komuniteteve të cilat përfaqësojnë.
Ekspertja E. Hasani po ashtu ndau me pjesëmarrësit informacione në lidhje me elementet kryesorë të një projekt-propozimi, përfshi:
  • shkrimin e projektit,
  • matricën e logframe
  • hartimin e buxhetit

Ditën e tretë pjesëmarrësit morën informacion rreth fazave të hartimit të buxhetit nga institucionet qendrore dhe lokale, të drejtës që organizatat e shoqërisë civile të përfshihen në këtë proces dhe mekanizmave që e mundësojnë këtë.
Ekspertja I. Dhaskali ndër të tjera tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve në temat:
• Rëndësia e buxhetimit me transparencë dhe përgjegjshmëri;
• Procedurat dhe parimet e buxhetimit;
• Analizimi i politikave në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë dhe buxhetimi i politikave në këta sektorë, etj.
Përfaqësuesit e organizatave lokale treguan interes të veçantë për t’u informuar rreth mjeteve dhe mënyrave më efikase që ato duhet të përdorin për të monitoruar buxhetet e institucioneve qendrore dhe lokale në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit dhe për të rritur presonin ndaj institucioneve për transparencë në vendimmarrje.
Pjesëmarrësit pranuan se informacioni dhe eksperiencat e ndara në tri ditët e trajnimit do t’i ndihmojë organizatat lokale të bëhen më aktive në advokim për çështje të rëndësishme që shqetësojnë komunitetin dhe grupet vulnerabël që ato përfaqësojnë.
Pjesëmarrësit treguan interes të lartë për të gjitha temat e trajtuara gjatë tri ditëve të trajnimit duke u përfshirë aktivisht nëpërmjet pyetjeve, diskutimeve, shkëmbimit të eksperiencave. Përfaqësuesit e organizatave lokale vlerësuan se trajnime të tilla janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të forcuar kapacitetet e tyre në mënyrë që rrisin ndikimin pozitiv në komunitetin e tyre dhe në vendimmarrjen vendore dhe qendrore.
Trajnimi zhvillohet në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjegjshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile”, që mbështet financiarisht nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.