Shoqata Together for Life prezantoi në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në Kuvendin e Shqipërisë gjetjet e Raportit “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, sipas të cilit edhe pse numri i të moshuarve të vetmuar që kanë nevojë për përkujdesje sociale po vjen në rritje nga viti në vit, numri i atyre që marrin shërbime në qendrat publike është minimal dhe po vjen në ulje. Gjatë vitit 2022, vit të cilit i referohet raporti i TFL, 310 të moshuar janë trajtuar me shërbime në qendrat e përkujdesit social, nga 350 të planifikuar.

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, që mori pjesë në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni me rastin e Ditës Botërore të të Moshuarve, po ashtu theksoi se ‘pjesa më e madhe e të moshuarve që vuajnë nga disa sëmundje kronike, nuk e përballojnë dot financiarisht blerjen e medikamenteve bazë (duke përfshirë ato me rimbursim) ose ekzaminimeve/mjekimeve shtesë dhe se sistemi shëndetësor nuk është i përgatitur për nevojat në rritje të të moshuarve.

Në Raportin e hartuar nga TFL me mbështetjen e NED (National Endowement for Democracy), evidentohet se shpeshherë të moshuarit, kryesisht ata në zona rurale që nuk kanë mundësi aksesi fizik në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor Parësor ose ato që ofrohen nuk janë cilësore, kështu që detyrohen të marrin shërbime në shtëpi për të cilat duhet të paguajnë kosto shtesë ose në mënyrë informale.

Në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni Parlamentar, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të cilat në fokus të punës së tyre kanë moshën e tretë dhe mirëqenien e tyre.

Deputet e pranishëm në sallë, duke ju referuar të dhënave të raportuara të cilat adresohen në mënyrë të përvitshme nga Shoqata Together for Life, pranuan problematikat e raportuara dhe rekomandimet e propozuara, duke theksuar nevojën për marrjen e masave konkrete në mënyrë urgjente për përmirësimin e situatës socio-ekonomike dhe shëndetësore të të moshuarve.

Për më tepër, ndiqni fjalën e përfaqësueses së Together for Life në link-un bashkangjitur: https://fb.watch/ntbIKZ8ELP/

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf (togetherforlife.org.al)