Shoqata Together for Life mori pjesë në seancën dëgjimore në Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit. Në këtë seancë morën pjesë institucionet shtetërore dhe grupet e interesit të cilat u ftuan për të sjellë eksperiencën, arritjet dhe problematikat e hasura gjatë punës.
TFL, ishte e vetmja organizatë e shoqërisë civile në tryezën e diskutimit në këtë Komision, që ndau problematikat e pacientëve që vuajnë nga kjo patologji e rëndë, duke sjellë në vëmendje mungesën e medikamenteve; ndikimin e covid-19 në programet e depistimit dhe nevojën për përditësimin e protokolleve klinike apo për përditësimin në përzgjedhjen e barnave për të reflektuar alternativa të reja terapeutike.
Together for Life u ndal edhe në buxhetin e ulët të shëndetësisë, duke evidentuar se raportet kombëtare dhe ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë të fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë. Gjithashtu përfaqësuesit e TFL-së përmendën abuzimet me fondet e shëndetësisë përmes tenderave jo transparent dhe korruptiv. Buxheti i ulët dhe shpenzimi jo eficent I fondeve cënon shërbimin ndaj pacientëve të cilët marrin shërbim shëndetësor jo cilësor dhe herë pas here përballen me mungesë medikamentesh.
Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Mira Rakacoli, pranoi mungesën e medikamenteve për pacientët që vuajnë nga kanceri i gjakut vitin e kaluar, ndërsa u shpreh se kjo situatë është zgjidhur dhe se janë gjetur hapësirat ligjore që pengonin zhvillimin e procedurave për blerjen e medikamenteve.
Në të njëjtën linjë diskutimi ishin edhe mjekët pjesmarrës në Komision të cilët theksuan faktin që është detyrë e politikbërësve që të hartojnë ligje të aplikueshme dhe të gjejnë mundësinë për blerjen e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore në kohë, në mënyrë që të shmanget përballja mjek-pacient për problematika që nuk lidhen drejpërdrejt me ta.