Shoqata Together for Life në vijim të aktiviteteve që po zhvillon në kuadër të projektit ‘Riintegrimi i të kthyerve duke rritur aksesin në kujdesin shëndetësor dhe përmirësuar shëndetin e tyre’, këtë javë organizoi në Elbasan dy sesione informimi me emigrantët e kthyer që vuajnë nga probleme shëndetësore kronike dhe familjarë të tyre. Në këto sesione ekspertët ndanë me të pranishmit informacion të nevojshëm mbi funksionimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend dhe sistemit të referimit. Njohja e të drejtave të pacientëve si dhe rrugëve për t’i përfituar ato është element i domosdoshëm në garantimin e aksesit në shërbimet shëndetësore të të rikthyerve.
Në kuadër të projektit parashikohet të realizohen 10 sesione informimi, ku familjet e të kthyerve nga emigracioni i paligjshëm të cilët vuajnë nga sëmundje kronike, do të fitojnë njohuri të nevojshme për sistemin shëndetësor, njohuri që do t’u shërbejnë për të mbështetur familjarët e tyre që të marrin një kujdes të vazhdueshëm shëndetësor më cilësor.
Shërbimet e ofruara nga TFL në kuadër të projektit mbështeten nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, pjesë e Programit ‘Kthimi në Mundësitë e Reja’ të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ). Qëllimi i projektit që po zbatohet nga TFL është lehtësimi i procesit të riintegrimit të të kthyerve, duke përmirësuar aksesin e tyre në kujdesin shëndetësor bazë me fokus në pacientët kronikë.
Paralelisht me informimin e të kthyerve, TFL ka zhvilluar trajnime me mjekët e sistemit parësor dhe punonjësit e shërbimeve të punësimit me qëllim adresimin e barrierave në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
TFL gjithashtu ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për të kthyerit që vuajnë nga sëmundje kronike, për marrjen e shërbimeve shëndetësore në kohë dhe me cilësi, sipas protokolleve përkatëse.