Shoqata “Together For Life” prezantoi të premten në Tiranë projektin “Të drejtat e Pacientëve në sistemin e drejtësisë”, i cili do të zbatohet në rrethet Dibër e Lushnje. Në këtë takim me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, zyrtarëve vendorë të dy bashkive, mjekëve, shoqërisë civile, gazetarëve dhe studentëve, drejtorja projektit Arlinda Shehu prezantoi qëllimet kryesore.
“Synimi ynë është që pacientëve t’u mësojmë rrugën se si t’i ndjekin të drejtat e tyre në sistemin e drejtësisë. Dëshirojmë që të përfshijmë gratë, fëmijët dhe grupet vulnerabël. Projekti që sot po lançojmë nuk ka qëllim që të sulmojë Ministrinë e Shëndetësisë, spitalet, qendrat shëndetësore, gjykatat apo personat që punojnë në to. Projekti ka synim që të inkurajohen qytetarët për të drejtat që ata kanë në sistemin e shëndetësisë”, tha Shehu.
Gjatë takimit, drejtoresha e shoqatës Eglantina Bardhi u shpreh se akoma ka mangësi sa i përket shpërndarjes së informacionit nga sistemi shëndetësor.
“Përmirësimi i sistemit është në të mirë të të gjithëve. Kemi punuar fort në Tiranë dhe synimi është që të shkojmë jashtë kryeqytetit. Kemi bërë një vëzhgim në Qendrat Shëndetësore të Tiranës dhe na ka rezultuar se 80% e tyre nuk e kishin të afishuar Kartën e të Drejtave të Pacientëve. Mendoj se duhet të rrisim reagimin ndaj institucioneve në vend. Nëse kjo ndodh, do të ketë rezultate”, përfundoi Bardhi.
Nga ana tjetër, Ermir Kapedani, komisioner pranë Avokatit të Popullit ftoi pjesëmarrësit ti drejtohen këtij institucioni kur kanë argumente se u janë shkelur të drejtat në sistemin shëndetësor.
Kuadri Ligjor
Projekti i prezantuar do të nisë zbatimin gjatë javëve në vijim. Andi Muratej, eksport ligjor pranë TFL, tregoi për të pranishmit disa raste konkrete të cilat janë fituar si çështje gjyqësore ndaj institucioneve shëndetësore. Muratej ftoi pjesëmarrësit që të paraqesin raste konkrete të pacientëve që nuk kanë marrë shërbim shëndetësor.
“Në muajin prill të këtij viti Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka shpallur një vendim në favor të një pacienti. Përveç shumës prej 6.8 milionë lekësh të reja, pacienti ka fituar të drejtën e shërbimit. Ky dhe rastet e tjera të fituara në gjykatë janë shembuj konkretë që na tregojnë së kur nuk na sigurohet kujdesi i duhur shëndetësor, në si pacientë na lind e drejta që ti drejtohemi gjykatës”, përfundoi Muratej.
Talasemikët në Lushnje, mungesë gjaku
Numri i lartë i pacientëve më talasemi në qytetin e Lushnjes ishte një tjetër pikë e diskutuar gjatë prezantimit të projektit. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Lushnje Pjerin Vogli tha se pavarësisht fushatave sensibilizuese që janë bërë, nevoja për rezerva gjaku është e madhe.
“Kemi punuar me fushata sensibilizuese për dhurimin e gjakut. Kemi pasur bashkëpunime me shkollat, me komisariatin, me burgun, me stafin e spitalit dhe me pushtetin lokal. Megjithatë kjo nuk mjafton. Kemi shumë nevoja për gjak”, pohoi Vogli.
Të njëjtin problem ngritën edhe drejtueset e 2 qendrave shëndetësore në Lushnje, ndërsa theksuan faktin se mjekët përjetojnë dhunë psikologjike në punë.
“Si pasojë e mungesës së medikamenteve, shumë pacientë i kërkojnë llogari mjekut. Në këtë rast mjeku nuk ka asgjë në dorë, është Fondi dhe Ministria që vendosin se cili medikament do të jepet me rimbursim dhe cili jo. Si pasojë e rasteve të tilla mjekët dhunohen. Një nga shkaqet e largimit të mjekëve është dhunimi psikologjik i tyre. Dikur mjeku ka qenë idhull, por nuk është më. Duhet që të gjithë së bashku të punojmë për të rritur figurën e mjekut”, u shpreh Mejreme Dervishi, drejtore e Qendrës Shëndetësore Nr. 2 në Lushnje dhe mjeke në profesion.
Në të njëjtën linjë ishte edhe drejtorja e Qendrës Shëndetësore Nr1 Lushnje Athina Doka. Nevojat e pacientëvepër gjak, tha ajo, nuk plotësohen. Në Lushnje, vetëm pacientë me talasemi janë 168, ndërsa në të njëjtin spital trajtohen edhe pacientë nga qytete të tjera.
Një tjetër problematikë u shfaq edhe nga përfaqësuesit e spitalit dhe të Bashkisë Dibër. Spitali sipas tyre ka mungesë të mjekëve specialistë, ndërsa po ashtu shumë sëmundje nuk trajtohen në atë institucion.
“Pavarësisht përpjekjes së mjekëve, ka shumë sëmundje që kërkojnë patjetër ndërhyrje në Tiranë. Përkushtimi nuk mungon, por ka shumë raste që nuk mund të bëjmë gjithçka. Duhet patjetër ndërhyja nga Tirana”, përfundoi mjeku Lleshi.
Diskutime të shumta kishte edhe për mosbesimin e qytetarëve tek shëndetësia kur ata dhurojnë gjak. Mjaft të pranishëm u shprehën dyshues se gjaku i tyre mund të keqmenaxhohet. Një tjetër pikë diskutimi ishte edhe vonesat që hasin pacientët kur kërkojnë të caktojnë një datë konsulte me mjekun. Në përfundim të takimit, përfaqësuesit nga bashkitë Dibër dhe Lushnje u ofruan mbështetjen e tyre për shoqatën “Together For Life” gjatë implementimit të projektit “Të drejtat e Pacientëve në sistemin e drejtësisë”, si pjesë e Projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Save the Children dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.
**Ky artikull u prodhua nga “Together for Life” në kuadër të projektit “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë”, si pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Save the Children në partneritet me Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e vetme e “Together for Life” dhe jodomosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Save the Children dhe Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara