Titulli i projektit: Të drejtat e grave në trashëgimi “Kanuni përballë Ligjit”
Donator: Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
Periudha e zbatimit: 25.05.2020 – 31.12.2020
Përmbledhje e projektit
Në një vend të lirë dhe të zhvilluar, prona konsiderohet si një nga drejtat themelore të njeriut. Shqipëria, si një vend aspirant për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ka ndërmarrë një sërë reformash që përfshijnë edhe garantimin e drejtës së pronës, siguruar përmes një sistemi të rregulluar e të harmonizuar të pasurive të paluajtshme, që ofron tituj të qartë e të sigurt pronësie për këdo. Por, në praktikë, kjo e drejtë nuk gjen zbatim të barabartë si për burrat edhe për gratë. Ndodh që të afërmit, familjarët ose autoritetet shëndetësore t’u cenojnë vajzave dhe grave të drejtat mbi pronësinë, duke u kërkuar të heqin dorë nga prona, ose duke i mashtruar, shantazhuar apo dhunuar. Kultura zakonore, sipas të cilës e drejta mbi pronësinë i njihet vetëm linjës mashkullore në familje, vazhdon të mbizotërojë mbi të drejtën e garantuar me Kushtetutë dhe Ligj. Edhe pse ligjet në Shqipëri e garantojnë të drejtën e pronës për të gjithë shtetasit, zbatimi i dobët i ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe tradita patriarkale që favorizon djemtë në trashëgiminë e pronave familjare ka krijuar një hendek të thellë gjinor, duke i bërë gratë shqiptare të jenë të varura ekonomikisht gjatë gjithë jetës së tyre.
Gruas i mohohet e drejta mbi pronësinë, si në familjen e prindërve, ashtu edhe në familjen e re që krijon me bashkëshortin. Shpesh gruaja është e detyruar të bashkëjetojë brenda një martese të palumtur ose të dhunshme sepse divorci do ta nxirrte në rrugë.
Shoqata Together for Life me mbështetjen e AWEN (Rrjeti i fuqizimit të gruas në Shqipëri) po zbaton projektin me titull “Kanuni përballë Ligjit” që synon informimin publik për të drejtën e grave në trashëgimi. Qëllimi i fushatës është të sensibilizoj popullatën, me theks të veçantë gratë që jetojnë në zonat rurale, për të drejtat e grave në trashëgimi si një nga çështjet më problematike kur bëhet fjalë për qasjen e grave në pronë.