Takimi i katërt konsultues me përfaqësues të target-grupit të pacientëve, pjesëtarë të komunitetit dhe autoritetet lokale në Bashkinë Vau i Dejës, shënoi një tjetër hap drejt ngritjes së zërit dhe ndërtimit të një dialogu konstruktiv për trajtimin e çështjeve më prioritare që ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit.

Kryetari i Këshilli Bashkiak, Sekretari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Vau i Dejës, ishin të pranishëm në takim dhe ofruan një qasje pozitive bashkëpunuese, si gjatë diskutimit ashtu edhe më tej në mbështetje të nevojave dhe kërkesave brenda kufinjve të fuqisë së tyre të veprimit.

Gjatë diskutimit, u vunë në pah disa nga sfidat më prioritare me të cilat ky target-grup haset, duke u foksuar kryesisht tek ato të kujdesit shëndetësor dhe ato social-ekonomike.

  • Për pacientët e moshuar, pamjaftueshmëria e mbështetjes financiare nga pensionet që marrin vështirëson cilësinë e jetës dhe aksesin e tyre në shërbimet thelbësore.
  • Aksesueshmëria e kufizuar në marrjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, për shkak të mungesës së shërbimeve 24-orëshe të ambulancës në zonë.
  • Shqetësimet lidhur me aksesin në kohë për shërbimet bazë por edhe ato që lidhen me nevoja kritike për kujdes shëndetësor, për shkak të orareve të kufizuara të ofrimit të shërbimit nga ana e stafit mjekësor në qendrën shëndetësore.
  • Nevoja për standarde më të mira dhe akses në trajtime më efektive.
  • Mungesa e transportit publik, po ashtu izolon anëtarët e komunitetit e sidomos ata që përjetojnë probleme shëndetësore, duke penguar marrjen e shërbimeve por edhe mundësinë e tyre për të marrë pjesë aktive në jetën e komunitetit.

Përtej thirrjes për vëmendje të shtuar ndaj këtyre problematikave nga ana e vendimmarrësve lokalë, është e nevojshme të fuqizohen përpjekjet për advokim për financimin dhe shpërndarjen e duhur të burimeve për të adresuar pabarazitë në kujdesin shëndetësor dhe për të përmbushur nevojat urgjente të komunitetit në mënyrë efektive, tek vendimmarrësit vendorë.

Nga ana tjetër, adresimi i këtyre sfidave dhe advokimi mbi to, kërkon një qasje gjithëpërfshirëse të përqendruar në qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe përfshirjen aktive të komunitetit.

Ky takim u zhvillua në vijim të projektit “Rritja e Angazhimit të Komunitetit në Vaun e Dejës, për Zgjidhjen e Çështjeve Lokale”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokracinë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.