Takimi i gjashtë konsultues, u realizua me përfaqësues të target-grupit të personave me aftësi të kufizuar dhe pjesëtarë të komunitetit që janë të prekur nga problematika social-ekonomike, si edhe Kryetari i Këshilli Bashkiak dhe Drejtori i Shërbimit Social në Bashkinë Vau i Dejës.
Fokusi kryesor i takimit ishte identifikimi i problemeve prioritare dhe sfidave që ky target-grup has, diskutimi i çështjeve të lidhur me pikat e forta dhe të dobëta të qeverisjes lokale, si edhe rritja e bashkëpunimit midis palëve për nxitjen e pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe përfshirjes në proceset vendimmarrëse, në dobi të adresimit dhe zgjidhjes së problematikave kyçe përmes dialogut konstruktiv.
Ndër problematikat më prioritare që u theksuan gjatë diskutimit, ishin lidhur me:
- Barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, duke përfshirë aksesin e pamjaftueshëm në institucionet publike dhe aksesin e kufizuar në shërbimet thelbësore. U theksua nevoja për sisteme më të fuqishme mbështetëse dhe përmirësime të infrastrukturës.
- Beteja e përditshme lidhur me vështirësitë financiare dhe papunësinë, e cila pengon jetesën cilësore dhe përfshirjen qytetare. Ekziston një nevojë urgjente për nisma për krijimin e vendeve të reja dhe të përshtatshme të punës punës dhe nisma mbështetëse për të përmirësuar kushtet ekonomike në zonë.
- Nevoja për rritjen e shërbimeve cilësore dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me nevojat e të të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre nga grupe më vulnerabël siç janë personat me AK.
- Nevoja për krijimin e komiteteve këshillimore që përfshijnë përfaqësues nga grupe të ndryshme të komunitetit dhe advokojnë në nivel qendror, duke siguruar që politikat të pasqyrojnë nevojat e të gjithë qytetarëve.
Nga ana tjetër, vendimmarrësit e pranishëm, theksuan se sigurisht puna për përmirësimin e pikave të dobëta dhe fuqizimin e politikave lokale po vazhdon, e sidomos target-grupet vulnerabël janë prioritet i Bashkisë, por ka nevojë për rritje kapacitetesh financiare, pasi janë të kufizuara dhe pengojnë procesin. Rritja e pjesëmarrjes qytetare u identifikua gjithashtu si një fushë kyçe për përmirësim. Inkurajimi i anëtarëve të komunitetit për t’u përfshirë në qeverisjen vendore nëpërmjet konsultimeve publike, mbledhjeve të bashkisë dhe platformave online për ata që nuk mund të marrin pjesë fizikisht, mund të forcojë rolin e komunitetit në proceset vendimmarrëse.