Tirana vazhdon të jetë qarku që ka numrin më të lartë të spitaleve dhe të shtretërve spitalorë. Kjo lidhet jo vetëm me numrin e lartë të popullsisë në këtë rajon, por dhe me përqendrimin e shërbimeve spitalore universitare në funksion të popullsisë për të gjithë vendin. Për sa i takon burimeve njerëzore, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Raporti mjekë për banorë është 1.2:1000 dhe raporti mami/infermierë për banorë është 3.6:1000. Burimet njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha.
Referuar të dhënave nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, aktualisht numri i përgjithshëm i mjekëve të regjistruar pranë UMSH-së është 6315. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë mjekët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë, të gjithë mjekët që janë larguar nga Shqipëria, por që nuk janë çregjistruar, mjekët pensionistë që nuk e ushtrojnë profesionin, si dhe mjekët e huaj.
Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 është i nevojshëm një ekip multi-disiplinar mjekësh i përbërë nga pneumologu, kardiologu, reanimatori (për komplikacionet dhe trajtimin në reanimacion) dhe infeksionisti; Pasja e vetëm një specialisti ose mungesa e tij çon në cilësi të ulët të trajtimit mjekësor ose mungesë të këtij trajtimi.
- Spitalet e Kukësit dhe Gjirokastrës nuk kanë mjekë infeksionistë
- Spitalet e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit deklarojnë praninë e vetëm një pneumologu
- Spitalet e Beratit, Dibrës dhe Gjirokastrës kanë vetëm nga një reanimator
Këto të dhëna u prezantuan ditën e djeshme në një takim të zhvilluar nga Shoqata “Together for Life”, në prezantimin e raport studimor mbi kapacitetet infrastrukturore dhe të burimeve njerëzore, të spitaleve rajonale. Raporti theksoi se spitalet e Shqipërisë kanë aktualisht 31 shtretër për 10 mijë banorë dhe 1 mjek për 1 mijë banorë.
“Përqëndrimi drejt spitaleve të kryeqytetit i gjithë menaxhimit të pandemisë i stërmundoi pacientët nga gjithë vendi si dhe mjekët e kryeqytetit. Monitorimi nxori se mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe Durrës, ndërsa në spitalet e largëta ata janë shumë të pakët” – thotë Denisa Canameti, përfaqësuese e organizatës Together for Life.
Sipas raportit, spitali rajonal me më shumë specialistë është ai i Durrësit, ndërsa spitalet me më pak specialistë janë në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër.
Përqëndrimi i gjithë vëmendjes tek Pandemia Covid prishi sistemin e menaxhimit të sëmundjeve kronike, thuhet në raport. Gjatë pandemisë në spitale janë vënë re pamjaftueshmëria e mjekëve dhe e shtretërve, mungesa e mjediseve të posacme për pacientët me Covid, mungesa e një protokolli të unifikuar për parandalimin e përhapjes së infektimit, një numër i kufizuar i pajisjeve të terapisë intensive dhe respiratorëve, si dhe mungesa e pajisjeve të lëvizshme për frymëmarrjen, që të sigurohej transporti i pacientëve me Covid.
Në raport veçohet se asnjë spital nuk ka impiant oksigjeni të tijin me qëllim plotësimin e nevojave të rritura dhe sidomos spitali i Kukësit, i cili nuk ka asnjë infrastrukturë për gazrat mjekësorë, çka e bën këtë spital të papërshtatshëm për trajtimin e pacientëve me covid-19.
Në raport theksohet se reduktimi i përhapjes së infeksionit në spital është një nga pikat e dobëta të tyre në menaxhimin e pandemisë Covid 19.
Sipas monitorimit, vetëm 5 spitale kanë krijuar mjedise të ndara për stafin mjekësor dhe pacientët. Në spitalet rajonale të planifikuar për pavionë COVID, shtretërit ishin të pamjaftueshëm të përballonin numrin e pacientëve, që kishin nevojë për trajtim reanimator. Monitorimi vërejti se vetëm 5 spitale kishin respiratorët mekanikë të lëvizshëm për transportin e pacientëve drejt spitaleve COVID, dhe këto pajisje nuk i kanë spitalet në Dibër, Lezhë dhe Gjirokastër.
Po ashtu edhe mungesa e ventilatorëve të lëvizshëm e bën të vështirë transferimin e pacientëve në gjendje kritike, ndaj këto spitale, edhe pse të planifikuar për pavione COVID, nisin drejt spitaleve COVID në Tiranë çdo pacient, pavarësisht nga niveli i prekjes së mushkërisë prej infeksionit.
Nga marsi I vitit të kaluar dhe deri sot gjatë 20 muajve nga Covid-19 humbën jetën 2 mijë e 718 qytetarë shqiptarë, edhe janë ende 8 mijë 655 raste aktive me këtë sëmundje.
Artikulli është realizuar si pjesë e projektit “Shëndeti është e drejta ime! Transparencë dhe llogaridhënie për menaxhimin e Covid-19” të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.