Projekti trevjeçar “SPACE, Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjegjshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile”, i zbatuar nga Shoqata Together for Life (TFL) në bashkëpunim me BIRN Albania, Qendresa Qytetare dhe Qendra për Ekselencë DESTINY – me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian – ka arritur rezultate të prekshme në të gjithë vendin. Kjo u theksua në aktivitetin përmbyllës, Konferencën me temë: “FORCIMI I DEMOKRACISË PJESËMARRËSE NËPËRMJET FUQIZIMIT TË SHOQËRISË CIVILE”, në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, medias, qytetarë dhe të rinj, të cilët ndanë opinionet dhe qëndrimet e tyre, si dhe reflektuan mbi performancën e institucioneve përkatëse në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.
Znj. Valerie Covic, Menaxhere Programi në Delegacionin Europian në Shqipëri, pjesëmarrëse në Konferencë, theksoi se Shqipëria ka bërë hapa pozitiv në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, megjithatë transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike duhet të forcohen për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet.

“Risku i korrupsionit mbetet i lartë në disa sektorë, përfshirë shëndetësinë dhe edukimin, dhe në këtë kontekst e konsideruam projektin SPACE shumë të përshtatshëm, ndaj morëm vendimin ta financonim”, u shpreh znj. Covic. “TFL, BIRN Albania, QQ dhe DCE kanë luajtur rol të rëndësishëm duke fuqizuar shoqërinë civile në nivel lokal për monitorim dhe advokim.”
Z. Oltjon Muzaka, Zv/Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, vlerësoi se:
“Projekti SPACE ka kontribuar ndjeshëm në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Ai ka treguar se bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, medias dhe të rinjve është një mjet i fuqishëm për të ndërtuar politika më të mira, më të drejta dhe më të afërta me realitetin e qytetarëve. Puna për monitorimin e politikave dhe adresimin e sfidave strukturore ka ndihmuar në rritjen e cilësisë së dialogut publik dhe përmirësimin e proceseve vendimmarrëse bazuar në evidenca.”
Në qendër të projektit SPACE ka qenë forcimi i demokracisë pjesëmarrëse dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, përmes mbështetjes dhe fuqizimit të kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht atyre me bazë lokale. Projekti ka promovuar bashkëpunimin aktiv mes shoqërisë civile dhe medias, për të forcuar zërin e qytetarëve dhe për të garantuar që nevojat, kërkesat dhe shqetësimet e komuniteteve të pasqyrohen në proceset vendimmarrëse. Përmes këtij bashkëpunimi, qytetarët u aktivizuan në monitorimin e shërbimeve publike, advokim për politika më të drejta dhe hartimin e rekomandimeve për shërbime më të aksesueshme dhe cilësore në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.

Në prezantimin e rezultateve të arritura nga projekti u evidentua realizimi i 21 raporteve të monitorimit në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, përfshirë 3 raporte kombëtare, si dhe përfshirja e rreth 58 institucioneve qendrore dhe lokale dhe rreth 15,000 qytetarëve që u angazhuan në aktivitetet e zhvilluara në 19 bashki të vendit.
13 organizata lokale, të mbështetura nga projekti nëpërmjet granteve të vogla, kanë ndërmarrë nisma konkrete në nivel vendor të fokusuara në nxitjen dhe mobilizimin e komunitetit për t’u përfshirë në: (i) procese monitorimi dhe fushata advokimi për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike në të dy sektorët; (ii) takime për konsultimin e buxhetit duke u bërë aktorë në diskutimin dhe hartimin e politikave për shërbime më të aksesueshme dhe më cilësore shëndetësore dhe arsimore, bazuar në nevojat dhe kërkesat e komunitetit.
Aksionet e zbatuara nga organizatat lokale mundësuan angazhimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, grave dhe grupeve vulnerabël, në proceset vendimmarrëse dhe në buxhetimin me pjesëmarrje. Kjo qasje ndihmoi në krijimin e një modeli efektiv bashkëpunimi midis komunitetit, shoqërisë civile dhe institucioneve, duke i bërë institucionet më të hapura dhe reaguese ndaj kërkesave të komunitetit, si edhe duke forcuar rolin e qytetarëve në vendimmarrje.

Projekti SPACE ka ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me një gamë të gjerë aktorësh kyç në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe shoqërisë. Rezultatet e tij janë të dukshme dhe konkrete: organizatat e shoqërisë civile tani punojnë më efektivisht për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë buxhetore në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Bashkëpunimi ndërmjet OSHC-ve, medias, të rinjve dhe aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë ka kontribuar në forcimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale, rritjen e presionit publik mbi autoritetet, nxitjen e ndryshimeve në sjellje dhe reduktimin e praktikave korruptive, duke krijuar një model të qëndrueshëm për avancimin e demokracisë pjesëmarrëse në vend.



