Një bashkëpunim mes Ambasadës Sllovake në Shqipëri dhe shoqatës “Together for Life” bën të mundur donacionin e pajisjeve mjekësore për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda të gjakut dhe marrin shërbim mjekësor në Spitalin e Lushnjës.

200 000 banorët e Lushnjës do të kenë një shërbim shëndetësor më të mirë falë investimit më të fundit në spitalin e këtij qyteti nga SlovakAID, zbatuar nga shoqata “Together for Life”. Spitali i Lushnjës ka vuajtur nga mungesa e investimeve në dhjetë vitet e fundit, duke sjellë problematikë të madhe tek pacientët.

Me qëllim përmirësimin e kushteve të shërbimit shëndetësor për qytetarët, sidomos për pacientët me talasemi dhe hemofili që marrin shërbim mjekësor në Qendrën e Hemoglobinopatisë në Lushnje, Ambasada Sllovake në Shqipëri ka kontribuar në blerjen e pajisjeve mjekësore të domosdoshme për trajtimin e këtyre pacientëve.

Përfaqësues nga Ambasada Sllovake në Tiranë, SlovakAID dhe shoqata Together for Life ishin në Lushnje për të parë më nga afër investimet e kryera në Spitalin e Lushnjes dhe ndarë me mjekët dhe drejtuesit e këtij spitali problematikat që ata hasin në punën e tyre.

“Në Qendrën e Hemoglobinopatisë në Lushnje ndiqen pacientë me sëmundje të rënda të gjakut nga Lushnja, Fieri, Berati, Elbasani, Vlora, të cilët marrin gjak në mënyrë periodike.  Prej kohësh, në qendrën e dhurimit të gjakut vuanim nga mungesa e aparaturave mjekësore të domosdoshme për trajtimin e këtyre pacientëve”, rrëfen personeli mjekësor i Spitalit të Lushnjës.

Drejtuesja e SlovakAID, znj. Lucia Kišš, premtoi që do të vazhdojnë investimet në këtë spital nëpërmjet Agjencisë Sllovake për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, ku i radhës do të jetë donacioni i pajisjeve inkubator për bebet. Znj. Kišš vendosi që edhe të dhurojë gjak.

Stafi administrativ dhe personeli mjekësor i Lushnjës shprehën mirënjohjen dhe falënderimet për donacionet e kryera nga Ambasada Sllovake në Shqipëri.

Shoqata Together for Life ka shërbyer si urë lidhëse mes spitalit dhe donatorëve, për të rritur mundësinë e investimeve në këtë spital. TFL do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe asistojë nevojat e spitaleve rajonale nëpërmjet projekteve të tjera.

Shoqata “TogetherforLife”, në përputhje me statutin dhe misionin e saj, punon për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të komuniteteve dhe grupeve në nevojë, me fokus të veçantë pacientët që përfitojnë kujdes shëndetësor në institucionet shëndetësore. Synim i punës sonë është ofrimi i shërbimit shëndetësor në përputhje me standardet e miratuara përmes një veprimtarie transparante dhe efikase të institucioneve shëndetësore në mbrojtje të shëndetit të pacientit.