Pas një beteje ligjore 5-vjeçare të Shoqatës “Together for Life”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur realizimin e operacionit të fëmijëve që lindin me probleme të rënda me dëgjimin.

Shoqata Together for Life finalizoi me sukses fitimin e të drejtës për t’u siguruar fëmijëve që nuk dëgjojnë operacionin e kthimit të dëgjimit (implantin koklear) pas një aksioni 5-vjeçar, nga investigimet deri në fitimin e 3 proceseve Gjyqësore në mbrojtje të këtyre fëmijëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pas 6 vitesh që nga koha e miratimit të projekt vendimit për financimin e paketës së implantit koklear nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në shërbimin e ORL-së në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza“, do të kryjë çdo vit 20 implante kokleare. Vazhdimësia e këtij projekti iu kthen shpresën 60-70 fëmijëve që lindin çdo vit në Shqipëri me probleme të dëgjimit, problem ky i denoncuar që prej një vitit 2016 nga shoqata ‘Together for Life’.

Përmes një shkrimi investigues, të publikuar më 20 prill 2016, me titull “Qindra fëmijë rrezikojnë të mbeten shurdhë, shteti i braktis edhe pse duhet t’u sigurojë mjekim”,   shoqata Together for Life denoncoi për herë të parë mosrealizimin e implantit koklear në strukturat shtetërore, duke sjellë dëshmitë e familjarëve, pretendimet e institucioneve dhe fjalën e ekspertëve të fushës. Vite të gjata pritjeje për një operacion që shteti duhet ta ofrojë falas, si pjesë e paketave të rimbursueshme nga Fondi Detyrues i Kujdesit Shëndetësor, por që në të vërtetë nuk e realizoi për vite me radhë. Kjo ishte e vërteta e hidhur e fëmijëve që lindin me probleme të dëgjimit dhe duhet të realizonin implantin koklear.

Pas investigimit të kësaj çështje dhe bërjen publike të saj përmes disa artikujve investigues Together for life ka përgatitur një dosje duke iu drejtuar Gjykatës administrative me Kërkesë-padi, me anë të së cilës u kërkua konstatimi i diskriminimit të miturit G. L., në formën e “Mohimit të një përshtatjeje të arsyeshme”, ndreqjen e pasojave përmes kryerjes së veprimeve administrative për sigurimin dhe vendosjen e Implantit Koklear tek i mituri dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar nga mosvendosja e pajisjes së Implantit Koklear.

Më 10.04.2018, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë shpalli vendimin me të cilin pranoi se nga mosveprimi i institucioneve të mësipërme shëndetësore është shkaktuar diskriminim i të miturit G. L., ka urdhëruar vendosjen e pajisjes së Implantit Koklear tek i mituri dhe shpërblimin e dëmit të llogaritur në masën 6 838 590 lekë”. Edhe pas apelimit të vendimit Gjykata Administrative e Apelit (Tiranë) la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, çka i hapi rrugë ekzekutimit të një vendimi gjyqësor shumë pozitiv në favor të një shtetasi të mitur të diskriminuar për shkaqe të lidhura me sëmundjen e tij.

Ndërkohë që TFL kishte vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat shtetërorë, dhe procesi gjyqësor vazhdonte, (procesi gjyqësor, vendimi për të cilin u dha në 2018-n, ka zgjatur më shumë se një vit) në 23 shkurt 2017, pati një reagim pozitiv nga institucionet shtetërore, dhe në shërbimin e ORL-së në QSUT, u bë i mundur realizimi me sukses i 3 ndërhyrjeve të para kirurgjikale. Mjekët premtuan se kjo procedurë do të vazhdojë rutinë. Por, në të vërtetë, që pas atyre ndërhyrjeve asnjë procedurë tjetër nuk u realizua.

Ndërkohë, në qershor të 2018-s, QSUT hap tenderin për blerjen e pajisjeve të implantit koklear. Dhe kur shpresa u rikthye për të miturit, kompanitë pretendente për tu futur në garë ankimuan procedurat e tenderit, derisa çuan në anullimin e tij. Për këtë procedurë tenderimi janë dhënë 3 vendime të Komisionit të Prokurimit Publik, periudha e pezullimit të procedurës ka qenë nga 20-07-2018 deri ne 29-05-2019. Ku më pas tenderi është anuluar me arsyetimin se “Asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit“.

Shoqata ‘Together for Life’ vazhdoi sërish përpjekjet!
Në tetor 2019, 3 dosje të reja u përgatiten  për tu dërguar në Gjykatë. Aktualisht, TFL vazhdon betejën ligjore për garantimin e të drejtës së të miturve për të përfituar nga procedura e implantit koklear.

Më 20.11.2019, shoqata ‘Together for Life’, ka ngritur këtë problematike në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Ku ka sjellë në vëmendje të deputetëve  se “Që nga viti 2014 deri sot nuk është realizuar asnjë implant, 3 të tillë kanë qenë me mbështetjen e jashtme, por janë realizuar në QSUT, çka konfirmon edhe kapacitet e QSUT-së për ta kryer këtë procedurë’.

Më datë 7 tetor 2020, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lajmëruar se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”,  janë kryer 5 implante kokleare, dhe se Ministria ka mundur të sigurojë ekspertizën dhe infrastrukturën e nevojshme që kjo ndërhyrje të vazhdojë rutinë. Pas komunikimeve zyrtare, TFL iu konfirmua se deri në fund të vitit do të kryhen 20 implante. Ndërkohë procedura do të vazhdojë rutinë, ku çdo vit do të kryhen rreth 20 implante kokleare.

Shoqata ‘Together for Life’ falënderon bashkëpunëtorët, të cilët nëse nuk do të angazhoheshin të gjithë me vendosmëri për t’i shkuar deri në fund çështjes së sigurimit të Implantit Koklear për të miturit me probleme të rënda të dëgjimit,  nuk do të vinte ky rezultat i sotëm. Gjithashtu, TFL garanton se do të vazhdojë të ndjekë procesin e kryerjes rregullisht të implantit koklear, për t’i dhënë këtij komuniteti çfarë u takon.

**Implanti koklear  është një pajisje elektronike e cila implantohet tek njeriu në mënyrë kirurgjikale dhe që mundëson dëgjimin tek një person i cili është plotësisht i shurdhër ose që ka një humbje të thellë të dëgjimit. Personat që i nënshtrohen implantit mund të jenë fëmijë që kanë lindur me humbje të thellë të dëgjimit ose që e kanë humbur atë gjatë jetës për arsye të ndryshme, si për shembull infeksionet, medikamentet etj. Nga implantimi gjithashtu përfitojnë edhe të rriturit që e kanë humbur dëgjimin gjatë jetës për arsye të ndryshme.