Një mungesë e thjeshtë mund të ketë pasoja të mëdha në një situatë emergjente. Pikërisht këtë konstatuan një grup qytetarësh të angazhuar vullnetarisht në Fushë-Krujë. Pjesë e e Rrjetit të Qëndrueshmërisë Komunitare (CRN), ata identifikuan se shkolla “Adem Gjeli”, një prej shkollave më të mëdha në vend, nuk ishte e pajisur mjaftueshëm me fikëse zjarri, duke rrezikuar sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe stafit. Përmes një procesi të organizuar advokimi, ata bashkuan zërin e komunitetit dhe iu drejtuan Bashkisë Krujë për të kërkuar masa konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla.

Pas pjesëmarrjes në trajnimet mbi advokimin, anëtarët e CRN-së analizuan situatën në shkollat e zonës së Fushë-Krujës dhe evidentuan jo vetëm mungesën e pajisjeve për mbrojtjen nga zjarri, por edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve të stafit shkollor në menaxhimin e emergjencave. Me mbështetjen e TFL, ata hartuan një kërkesë zyrtare drejtuar Bashkisë Krujë, ku përfshinë shkollën “Adem Gjeli” dhe institucione të tjera arsimore që kishin nevojë për pajisje dhe trajnime. Gjatë gjithë procesit, anëtarët e CRN-së kontribuuan në mbledhjen e informacionit, identifikimin e nevojave dhe ndjekjen e komunikimit me institucionet përgjegjëse.

Advokimi solli rezultate konkrete. Shkolla “Adem Gjeli” u pajis me fikëse zjarri në çdo kat të godinës, ndërsa anëtarët e CRN-së, njëkohësisht mësues në shkollë, organizuan simulime praktike me nxënësit për evakuimin në rast zjarri dhe përdorimin e pajisjeve të sigurisë. Ata trajnuan gjithashtu kolegët e tyre mbi menaxhimin e emergjencave, duke krijuar një kulturë më të fortë të gatishmërisë në shkollë. Ndërkohë, nevoja për pajisjen dhe trajnimin e shkollave të tjera mbetet pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të advokimit.

Ky rast tregon se kur komuniteti organizohet dhe bashkëpunon me institucionet, edhe një problem i identifikuar në nivel lokal mund të shndërrohet në një zgjidhje konkrete që rrit sigurinë e fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit SOLIDAR-Bashkë në emergjencat shëndetësore, një projekt i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që implementohet nga GFA Consulting Group GmbH në partneritet me Together for Life.