Në bashkëpunim me Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” Kurbin, zhvilluam sesionin e informimit mbi tematikën e dhunës me bazë gjinore dhe dhunën në familje, duke e vendosur fokusin tek mbrojtja e të drejtave të njeriut. Takimi u zhvillua në mjediset e Qendrës “Fuqizojmë Komunitetin” Kurbin ku pjesëmarrës ishin vajza, gra dhe burra pjesë të komunitetit kryesisht nga familjet me problematika social-ekonomike.

Gjatë takimit u diskutua mbi identifikimin e formave të ndryshme të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje që shpeshhere, për shkak të stereotipizimit dhe mentalitetit, janë të fshehura në kontekstin kulturor që i konsideron si “normale” brenda perceptimeve të ofruara si model: “druri ka dalë nga xheneti”, “kush të rreh të do” apo “gruaja lind në shtëpi të huaj dhe shkon në shtëpi të vet”. Të pranishmit u shprehën se faktorët kryesorë që ndikojnë në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore janë gjendja e vështirë ekonomike, mentaliteti patriakal, niveli i ulët arsimor, problemet e dhunuesve me shëndetin mendor, përdorimin e alkolit, etj.

Po ashtu, ata u njohën edhe me mënyrat se si dhe ku dhuna mund të adresohet/raportohet, me vlerë kjo si për anëtaret e komunitetit që janë ose mund të jenë vetë viktima të dhunës, por qoftë edhe për t’i inkurajuar t’ju vijnë në ndihmë indvidëve të tjerë në nevojë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm ku u vendos theksi gjatë sesionit, ishin shërbimet e ofruara nga Qendra e Resiliences në Kurbin, e cila shërben gjithashtu si një si strehë për mbështetje dhe edukim të vazhdueshëm jo vetëm për prindërit që sjellin fëmijët e tyre për marrje shërbimesh psiko-sociale, logopedie dhe psikoterapie, por edhe për komunitetin në përgjithësi.

Ky aktivitet është pjesë e programit “Fuqizojmë Komunitetin (ICR)”, financuar nga USAID dhe zbatuar nga UNDP Shqipëri, në partneritet me Bashkinë Kurbin dhe Shoqatën Together for Life.