Përfaqësues nga 9 takimet konsultuese me grupet e ndryshme të interesit u ribashkuan në tryeza të rrumbullakta me synimin për të rritur aktivizimin dhe angazhimin qytetar dhe për të institucionalizuar propozimin e ngritjes së Komiteteve Këshillimore Qytetare.
Ndër pjesëmarrësit e pranishëm ishin përfaqësues nga target-grupi i të rinjve dhe aktivistëve, atyre me problematika social-ekonomike dhe PAK, pacientëve, të moshuarve, target-grupi i grave, sipërmarrësve dhe OSHC-ve lokale.
Gjatë takimit, me pjesëmarrjen edhe të Zv. Kryetares së Bashkisë dhe përfaqësuesve nga KëshillIi Bashkiak, u dakordësua mbi nevojat dhe sfidat kryesore me të cilat përballen qytetarët e Bashkisë Vau i Dejës dhe mbi prioritetet komunitare për të lobuar dhe advokuar në nivel të qeverisjes vendore.
Propozimet bazuar mbi nevojat më kyçe që u parashtruan, ishin:
- Ngritja e një qendre të specializuar për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down
- Ngritja e një qendre multifunksionale për rininë dhe moshën e tretë
- Përmirësimi i shërbimeve shëndetësore në kohëzgjatje shërbimi dhe në cilësi shërbimi në fshatrat e ndryshëm të bashkisë Vau i Dejës.
Gjithashtu, propozimet për ngritjen e Komiteteve Këshillimore Qytetare me synim të qënit përfaqësues të zërit komunitar, identifikimi i mekanizmave për advokim, institucionalizimi i tij nga pushteti vendor, si edhe hartimi i një “Plani Integriteti” përmes prezantimit një draft-kërkese model, u diskutuan dhe pranuan nga ana e përfaqësuesve.
Në përfundim të takimeve, përfaqësuesit shprehën mirënjohjen për ndërmarrjen e angazhimit për realizimin e këtyre nismave, me synimin madhor për të përmirësuar modelin e qeverisjes drejt një qeverisje më të mire, transparente dhe të përgjegjshme.
Takimet u organizuan në vijim të zbatimit të projektit “Rritja e Angazhimit të Komunitetit në Vaun e Dejës, për Zgjidhjen e Çështjeve Lokale”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokracinë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.