Ngacmimet seksuale në vendin e punës janë një fenomen mjaft i përhapur në Shqipëri, megjithatë vazhdon të mbetet pak i raportuar. Kjo është një nga gjetjet e studimit që Together for Life po realizon me mbështetjen financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në kuadër të Projektit “Sinergji për Fuqizimin e Vajzave dhe Grave”.

Për të diskutuar rreth gjetjeve paraprake të studimit ‘NGACMIMET SEKSUALE NË VENDIN E PUNËS KËNDVËSHTRIMET DHE PËRVOJAT E FORCËS SË PUNËS NË SHQIPËRI’ dhe rreth përhapjes së fenomenit në sektorin publik dhe privat në rajone të ndryshme të vendit, TFL organizoi takime në rajonet Durrës, Korçë dhe Lezhë, me pjesëmarrjen e punëmarrësve dhe punëdhënësve në sektorin publik dhe privat; përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë lokalë dhe aktivistë. Pjesëmarrësit në këto takime pranuan se fenomeni i ngacmimeve seksuale në vendin e punës është një fenomen i ri dhe më së shumti prek gratë dhe vajzat punëmarrëse. Duke u ndalur tek niveli i ulët i raportimeve të fenomenit, pjesëmarrësit në takime renditën disa faktorë, ku ndër më kryesorët është stigma dhe paragjykimi që mbizotëron në shoqërinë shqiptare dhe që ‘ngarkon me faj’ vetë viktimën e ngacmimit. Pjesëmarrësit sollën shembuj personalë apo të kolegeve të tyre që kishin pësuar ngacmim seksual në vendin e punës, të cilat edhe kur kishin tentuar ta raportonin rastin, nuk kishin gjetur mbështetjen e as të familjarëve, as të kolegëve dhe ca më pak të punëdhënësve.

Sipas ekspertes Merita Poni, legjislacioni i brendshëm që ofron mbrojtje për viktimat e ngacmimit seksual në vendin e punës është përmirësuar dhe forcuar vitet e fundit. “Por pa një informim dhe ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi ky fenomen nuk do të adresohet dhe viktimat do të pësojnë dëme psikologjike, ekonomike, madje në raste më të rënda, edhe dëmtime fizike dhe seksuale.”

Për të diskutuar gjetjet e raportit studimor TFL do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të institucioneve, përfshi institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut. Gjetjet dhe rekomandimet e Studimit do të ndahen edhe në komisionet parlamentare me qëllim ndërmarrjen e nismave ligjore që adresojnë më mirë fenomenin dhe ofrojnë mbrojtje për viktimat e ngacmimeve seksuale.