“Fëmijët kanë nevojë për një mjedis të sigurt në shtëpi dhe shkollë! Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet i lirë nga dhuna, neglizhenca dhe shfrytëzimi! Dhuna ndaj fëmijëve sjell fëmijë të dhunshëm!”

Shoqata Together for Life zhvilloi konkursin artistik me temë «Ndal dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve».

Konkursi u zhvillua në shkollën 9-vjecare ”Ndre Mjeda” në Shkodër.

Nxënësit pjesëmarrës sollën mendimet, ndjenjat dhe perceptimet e tyre nëpërmjet formave të tilla krijuese dhe artistike që nga esetë, poezitë, koreografitë, pjesët e shkurtra teatrale, instalacionet dhe pikturat.

Dhuna në familje, neglizhimi, dhuna psikologjike dhe fizike shkaktuar nga prindërit, bullizmi në shkollë, nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit, janë vetëm disa nga temat që nxënësit e shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër sollën në konkursin artistik “Ndal dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve”.

Dhuna ndaj fëmijëve në shkolla (bullizmi) mbetet një shqetësim, pavarësisht ecurisë së shënuar. Një studim i kryer në vitin 2017 tregoi se 83% e nxënësve në arsimin e detyruar vuajnë nga lloje të ndryshme të dhunës nga mësuesit, duke përfshirë ofendime, gjuhë tallëse dhe poshtëruese, etiketime dhe nofka.

Gjithashtu, studimi tregoi se fëmijët shpreheshin se i kishin përjetuar të gjitha format e
dhunës, verbale, emocionale dhe fizike, edhe nga prindërit e tyre.

“Qëllimi është të zhvillojmë dhe implementojmë modelin e shkollës si një qendër komunitare që zhvillon dhe implementon aktivitete ndërgjegjësuese me prindërit, mësuesit dhe komunitetin për parandalimin e dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

Nëpërmet ilustrimeve dhe formave të tjera të artit (piktura, monologje, shfaqje teatrale), nxënësit shprehën opinionin dhe ndjesitë e tyre për fenomene si dhuna dhe bullizmi, ndanë idetë dhe sugjerimet e tyre si mund ta parandalojmë këtë fenomen negativ, duke u bërë kështu agjentë aktivë për ndryshim”, u shpreh Blertina Koka, koordinatore e projektit.

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Mbrojtja e Fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”. Ky projekt zhvillohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër./ Shendeti.com.al