Për të promovuar teknologjinë e sistemeve diellore, u inagurua instalimi i sistemeve termike diellore për ngrohjen e ujit dhe ndriçim në fshatin e largët të Thethit, si një model i qëndrueshëm për zbutjen e varfërisë në komunitetet me të ardhura të vogla në veri të Shqipërisë. Kjo nismë u realizua nga shoqata “Together For Life” me mbështetjen e Programit të PNUD-it për Ndryshimet Klimatike, Programi i Grandeve të Vogla i Fondit Global për Mjedisin (GEF/SGP) në bashkëpunim me Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ).
Në inaugurimin e tij ishte edhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuese e UNFPAsë në Shqipëri, znj. Zineb Touimi-Benjelloun dhe përfaqësues të Minsitrisë së Ekonomisë.
Gjatë këtij viti GEF/SGP dhe Projekti i GEF/PNUD-it për Panelet Diellore për Ujë të Ngrohtë kanë mundësuar instalimin e sistemeve termike diellore për ngrohjen e ujit dhe për përdorimin e pajisjeve të tjera shtëpiake në 11 hane në Theth.
35 hane dhe qendra shëndetësore janë të pajisura me sisteme fotovoltaike të cilat sigurojnë furnizimin me energji elektrike për ndriçim. Këto ndërhyrje kanë si qëllim përmirësimin e jetës së banorëve të Thethit duke fuqizuar ekonominë lokale përmes krijimit të eko-turizmit të qëndrueshëm.
Përmes këtij aktiviteti në Theth janë promovuar shembuj konkretë jetësor të “ekonomisë së gjelbër” që demonstrojnë në terma reale sesi qasjet miqësore me mjedisin mund të sjellin rritje ekonomike, zhvillim, vende pune dhe të zvogëlojnë pabarazinë.
Të ardhurat e përftura nga banorët arritën deri në 200,000 Euro të cilat llogariten në 7-8 herë më të larta se skema e ndihmës sociale.
Parku kombëtar i Thethit, një nga zonat pyjore më të mëdha të Shqipërisë, ofron mbrojtjen e një game të gjerë kafshësh të rrezikuara si ariu apo rrëqebulli. Rrethuar nga malet e larta dhe qafat mahnitëse të Alpeve të Shqipërisë me përrenjtë dhe ujërat e pastër si kristal, me ajrin e pastër dhe aromatik nga bimësia e bollshme medicinale, të shoqëruara nga mikpritja e jashtëzakonshme e banorëve, lugina e Thethit është destinacion i përsosur turistik. Përveç bukurive natyrore, zona ka mungesë të energjisë elektrike pasi stacioni energjitik lokal nuk është në funksionim dhe fshati nuk është i lidhur me rrjetin elektrik. Nga ana tjetër largësia e kësaj zone, distanca e madhe nga tregjet dhe mungesa e një toke bujqësore të përshtatshme ka sjellë që përveç turizmit lokal të këtë shumë pak veprimtari fitimprurëse.
20 korrik 2012