Ngacmimi seksual në vendin e punës nuk është një problem i izoluar apo individual. Ai përfaqëson një fenomen kompleks, të rrënjosur në struktura sociale, kulturore dhe institucionale, që reflekton pabarazitë e vazhdueshme gjinore dhe mënyrën se si ushtrohet pushteti në ambientet profesionale. Të dhënat nga raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare tregojnë se edhe pse ngacmimi seksual në vendin e punës është një fenomen gjerësisht i përhapur, niveli i raportimit mbetet i ulët. Kjo lidhet me një kulturë të fortë heshtjeje, ku viktimat shpesh ndihen të pasigurta për të denoncuar. Frika nga hakmarrja, stigmatizimi shoqëror dhe mungesa e besimit në mekanizmat institucionalë krijojnë një mjedis ku abuzimi tolerohet në heshtje. Në shumë raste dhe shoqëri, përfshirë edhe shoqërinë shqiptare, sjellje të papërshtatshme konsiderohen si “normale” ose minimizohen si ndërveprime të padëmshme, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin dhe adresimin e fenomenit.
Pothuaj të gjitha raportet dhe analizat konfirmojnë lidhjen e drejtpërdrejtë midis ngacmimit seksual dhe dinamikave gjinore, duke nxjerrë në pah modele të qarta në mënyrën se si përjetohet dhe ushtrohet ky fenomen në vendin e punës. Për burrat viktima të ngacmimit seksual, konstatohet se rastet ndodhin kryesisht në nivel horizontal të marrëdhënieve të punës, ku viktima dhe ngacmuesi janë në të njëjtin nivel hierarkik dhe shpesh kolegë. Në këto raste, sipas ekspertëve dinamika lidhet më shumë me ndërveprimet sociale dhe kufijtë profesionalë të paqartë.
Ndërkohë, situata paraqitet dukshëm më komplekse dhe më e rëndë për gratë. Ato përballen kryesisht me forma vertikale të ngacmimit, ku ngacmuesi është epror, drejtues apo një person me autoritet vendimmarrës. Kjo e vendos viktimën në një pozitë të brishtë dhe të pabarabartë, ku ndërthuren presioni profesional me cenimin personal. Në këto rrethana, gratë shpesh gjenden përballë zgjedhjeve të vështira: të tolerojnë dhe të heshtin për të ruajtur vendin e punës dhe stabilitetin ekonomik, apo të raportojnë dhe të rrezikojnë pasoja si hakmarrja, izolimi profesional apo humbja e punës. Në këtë rast, ndërthurja e pushtetit gjinor me atë hierarkik e bën këtë fenomen veçanërisht të rëndë dhe të vështirë për t’u adresuar.
Format e shfaqjes dhe tendenca për fajësimin e viktimës
Tashmë është pranuar se ngacmimi seksual nuk shfaqet gjithmonë në forma të hapura apo ekstreme. Përkundrazi, ai shpesh maskohet përmes sjelljeve të përditshme që normalizohen në kulturën e punës: komente me nënkuptime seksuale, “komplimente” të papërshtatshme, ftesa jashtë kontekstit profesional apo prekje të padëshiruara. Këto forma të “buta” të ngacmimit krijojnë një zonë gri, ku kufijtë profesionalë bëhen të paqartë dhe viktimat nuk ndjehen të sigurta për të reaguar. Ky mekanizëm maskimi është veçanërisht problematik sepse e bën fenomenin më të vështirë për t’u provuar dhe për t’u ndëshkuar, duke i dhënë hapësirë vazhdimësisë së tij. Në të njëjtën kohë, ai kontribuon në krijimin e një klime pune ku abuzimi perceptohet si pjesë e zakonshme e ndërveprimeve sociale.
Një nga faktorët kryesorë që e përforcon këtë fenomen është mungesa e reagimit institucional. Shumë organizata, përfshi institucionet publike dhe ndërmarrjet private, nuk kanë politika të qarta për parandalimin dhe adresimin e fenomenti të ngacmimit seksual në vendin e punës, ose, edhe kur ato ekzistojnë, nuk zbatohen në praktikë. Kjo krijon një hendek të madh midis kuadrit formal dhe realitetit të përditshëm të punonjësve.
Dhe problemi më i madh është fenomeni i fajësimit të viktimës. Në vend që të fokusohet përgjegjësia te autori, jo rrallë ndodh që viktimat përballen me dyshime, paragjykime apo presion për të heshtur. Kjo jo vetëm që i dekurajon ato të raportojnë, por edhe e legjitimon në mënyrë indirekte sjelljen abuzive të ngacmuesit, duke krijuar kështu një cikël të mbyllur ku heshtja ushqen pandëshkueshmërinë, dhe pandëshkueshmëria përforcon fenomenin.
Pasojat e ngacmimit seksual
Ngacmimi seksual nuk ka vetëm pasoja individuale; ai ka edhe kosto të konsiderueshme sociale dhe ekonomike. Ai ndikon në produktivitetin, rrit kostot e punësimit për shkak të qarkullimit të stafit dhe dëmton reputacionin e institucioneve. Mbi të gjitha, ai pengon ndërtimin e një tregu pune të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Për këtë arsye, adresimi i fenomenit kërkon një qasje të shumëanshme. Institucionet duhet të hartojnë dhe zbatojnë politika të qarta kundër ngacmimit seksual, të krijojnë mekanizma të sigurt dhe konfidencialë për raportim dhe të sigurojnë që çdo rast të trajtohet me seriozitet dhe paanshmëri. Paralelisht, është e domosdoshme rritja e ndërgjegjësimit dhe ndryshimi i kulturës organizative, në mënyrë që sjelljet abuzive të mos tolerohen më.
Sot është pranuar gjerësisht se lufta kundër ngacmimit seksual në vendin e punës është një proces që kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror. Vetëm përmes përgjegjësisë, transparencës dhe veprimit konkret mund të ndërtohet një mjedis pune që garanton dinjitet, siguri dhe barazi për çdo individ.



