“Gjithmonë kemi raportuar problematikat e sistemit shëndetësor, por gjithashtu kemi kërkuar një analizë më të thellë, të cilën po e paraqesim sot, për 8 shërbime të QSUT-së dhe 8 spitale rajonale. Ky është hapi i parë për t’i dhënë disa përgjigje sistemit shëndetësor”. Kështu u shpreh Eglantina Bardhi në fjalën e saj përshëndetëse, gjatë aktivitetit që shoqata “Together for life” ka zhvilluar ditën e sotme.
“Together for Life” prezantoi dy Raportet Vlerësuese mbi Sistemin e Shëndetësisë “Planifikimi dhe menaxhimi i buxheteve spitalore për të plotësuar nevojat e pacientëve për mjekim të përshtatshëm” dhe “Raportin mbi Prokurimin e barnave për përdorim spitalor”.
Raportet vlerësuese vijnë si një nevojë për të vlerësuar dhe adresuar problemet që shoqërojnë çështjet e buxhetimit të spitaleve dhe çështjet e prokurimit të barnave për përdorim spitalor.
Buxheti në sektorin e shëndetësisë për spitalet rajonale akordohet nga Ministria e Shëndetësisë bazuar në kërkesat drejtuar këtij institucioni nga ana e spitaleve rajonale/qendrore. Vihet re që Ministria e Shëndetësisë i miraton të përgjysmuara këto kërkesa, madje edhe më keq, duke shkaktuar mungesa të theksuara të mjekimit në kurriz të pacientëve.
Mangësitë dhe të metat e sistemit shëndetësor shqiptar në ofrimin e një shërbimi të garantuar dhe cilësor, i pengojnë pacientët, sidomos ata me sëmundje kronike, të kenë aksesin e nevojshëm në sistemin shëndetësor.
Raporti i parë mbi “Mbi prokurimin e barnave për përdorim spitalor” u prezantua nga specialistja e prokurimeve, Valbona Dhrami. Dhrami në raportin e saj paraqiti një analizë të prokurimit të barnave në sektorin shëndetësor publik, planifikimin e fondeve, mënyrën e prokurimit, zhvillimin e procedurave të prokurimit, rolin e institucioneve spitalore.
Në përfundim të raportit u evidentuan probleme dhe sugjerime/ rekomandime për përmirësimin e planifikimit të fondeve dhe mënyrave të prokurimit të barnave, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe eficensës në përdorimin e fondeve buxhetore në sistemin shëndetësor, si dhe plotësimin më të mire të nevojave të pacientëve.
Menjëherë pas prezantimit të Dhramit, fjalën sipas agjendës e mori ekspertja Flora Hobdari, e cila prezantoi raportin me temë ” Planifikimi dhe menaxhimi i buxheteve spitalore, për të plotësuar nevojat e pacientëve për mjekim të përshtatshëm”. Në këtë raport u paraqitën të dhëna dhe fakte për rrugën që ndiqet nga institucionet shëndetësore spitalore për planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit në tërësi dhe buxhetit për barna në veçanti, si dhe një analizë krahasimore e situatës buxhetore të disa prej spitaleve rajonale dhe shërbimeve shëndetësore në QSUT. Në përfundim të raportit gjithashtu Hobdari ka nxjerrë sugjerime si dhe ka rekomanduar zgjidhje përmes analizimit se si të mirëmenaxhohet buxheti i akorduar për spitalet, për të plotësuar nevojat emergjente të pacientëve për mjekim dhe shërbim më të mirë shëndetësor.
Aktiviteti ka vazhduar me fjalën e profesor Gazment Koduzi, i cili prezantoi temën “Këndvështrim alternativ i studimeve për financimin dhe prokurimin e barnave në shërbimin spitalor Shqiptar”.
“Mendoj se pika kryesore për rritjen e cilësisë së sistemit shëndetësor është padyshim rritja e buxhetit. Ndërkohë, dua të theksoj se nuk mund të ketë funksionim të sistemit shëndetësor nëse paraja nuk ndjek pacientin, që do të thotë se çdo fond i akorduar duhet të shkojë në shërbim të pacientit dhe në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Koduzi.
“Një funksion tjetër është blerja e shërbimeve. Që të blesh shërbime do të thotë që të kesh mundësi të zgjedhësh, dhe në Shqipëri akoma nuk kemi blerje shërbimesh, përveçse në rimbursimin e barnave, ku pacienti ka mundësi vetëm të zgjedhë se në cilën farmaci do të shkojë të marrë barnat”, tha ai.
“Në Shkodër përshembull FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor) lidh kontratën me Spitalin Rajonal të Shkodrës, sepse vetëm ai spital është, kurse në Tiranë që ka mundësi zgjedhjeje apo në spitale të tjera private nuk e bën këtë punë. Pra, në Shqipëri flasim për financim, jo për blerje dhe niveli i fondit pastaj është ofrimi i shërbimeve me të cilin lidhet prokurimi i mallrave dhe buxhetimi” vazhdoi Koduzi me fjalën e vet.
Koduzi gjithashtu artikuloi një sërë rekomandimesh dhe sugjerimesh, të dala nga studimi i tij.
Pas referimeve të tre autorëve të raporteve, fjalën e mori eksperti ekonomik, Zef Preçi, i cili përshëndeti aktivitetin.
Midis të tjerash, Preçi tha se “unë mendoj që një numër çështjesh që lidhen me menaxhimin e spitaleve dhe planifikimin e nevojave për medikamente janë të mundshme për t’u zgjidhur duke iu larguar asaj përvojës historike. Nëse do të kishte menaxhim më të mirë të spitaleve tona, natyrisht nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë do të analizohej sëmundshmëria dhe mjekimet shumëvjeçare mund të bëhen prognoza për 2-3 apo më shumë vite.
“Në ditët e sotme nuk ka asnjë arsye të mos dokumentohen përkatësisht mjekimet që kryhen duke bërë analiza mbi sëmundshmërinë, mbi trendin që është dhe mbi këtë bazë, mund të plotësohen edhe nevojat për medikamente. Unë mendoj se duhet të ketë edhe një plan për një rezervë sigurie, pasi në kushtet normale, alarmet që jep shtypi janë se mungojnë edhe medikamentet bazë.
“Do të ishte mirë edhe rishikimi mes kostos dhe efiçencës, pasi shpenzimet zënë një pjesë të madhe të GDP-së së vendit. Shoh me shqetësim se performanca e spitaleve krahasuar me koston është shumë larg”, tha eksperti.
Aktivitetin e përshëndeti gjithashtu dr. Agim Shehu, i cili paraqiti disa pika se çfarë do të ndryshojë në financimin e spitaleve.
Nga ana tjetër, presidenti i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, Fatmir Brahimi kërkoi fjalën, teksa u shpreh se në hartimin e buxheteve të dobëta mund të ketë ndikuar për keq ndërrimi i drejtuesve teknikë.
“Për fat të keq, tek ne në momentin që ndërrohet ministri, ndërrohet edhe drejtori së bashku me të gjithë stafin e spitaleve. Kjo është një arsye që na çon tek menaxhimi i keq dhe i dobët, që domosdo pasqyrohet direkt në shërbime.
“Pra, e para që do të sugjeroja është një bashkëpunim më i mirë dhe diskutimi në kohë për buxhetin e vitit pasardhës. Nga ajo që përfaqësoj, do të thosha se buxheti duhet të sigurojë respektimin e standardeve profesionale. Dëgjojmë shpeshherë që thuhet për mjekët se kanë bërë mjekim të pakujdesshëm. Ne duhet të hartojm; udhëzues dhe protokolle. Një tjetër problematikë që vërej është edhe kuota e mjekut roje, e cila është vetëm 200 lekë. Kjo histori na çon në absurditete”, tha Brahimaj.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Rritja e cilësisë së kujdesit shëndetësor përmes forcimit të shoqatave të pacientëve dhe advokimit për rritjen e buxhetit në shëndetësi”, mbështetur nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”./ Shendeti.com.al