“Pacientët duhet të mbështeten, jo të fajësohen”. Kështu u shprehën përfaqësues të ndryshëm të organizatave të shoqërisë civile dhe të institucioneve evropiane në takimin e 12-të të Ditës Evropiane për të Drejtat e Pacientëve, të zhvilluar me datën 23 maj në Parlamentin Evropian në Bruksel.

Konferenca me temë “Zbatimi i terapisë: vlerësoni ndikimin për pacientët dhe sistemin e kujdesit shëndetësor” mblodhi rreth 100 përfaqësues nga 16 shtete të Evropës. Shqipëria u përfaqësua nga shoqata “Together for Life”, ku ishin të pranishëm Eglantina Bardhi, drejtoresha ekzekutive, dhe Arlinda Shehu, menaxhere e programeve.

Në këtë konferencë, të pranishmit theksuan edhe një herë rëndësinë që sistemi shëndetësor të funksiononte me pacientin në qendër të saj, me një qasje drejt pacientit, dhe jo sëmundjes.

“Zbatimi i terapisë nuk mund të arrihet nëse pacientët nuk kanë një rol aktiv”, tha Martin Seychell, nëndrejtor i përgjithshëm i Shëndetit dhe Konsumatorit në Komisionin Evropian.

Ndërkohë, José Inácio Faria, anëtar i Parlamentit Evropian, u shpreh se gjysma e njerëzve nuk e marrin mjekimin siç duhet. Sipas tij, 50% e sëmundjeve kardiovaskulare janë për shkak të keqmjekimit.

“Ka vende në të cilat mosha e tretë është aq e varfër, sa i duhet të pyesë veten nëse do të blejë ilaçet apo ushqimin. Dhe sigurisht dihet përgjigjja e kësaj”, u shpreh parlamentari evropian.

Të njëjtën gjë e mbështeti edhe parlamentarja italiane, Elena Gentile, e cila theksoi se mosha e tretë është pjesa e shoqërisë që vuan më shumë nga mungesa e informacionit, por edhe nga rënia pre e informacioneve shëndetësorë jo të sakta, duke braktisur në këtë lloj forme edhe trajtimin e duhur.

Nga ana e përfaqësuesve të shoqatës italiane “Cittadinanza attiva” u theksua nevoja për një bashkëpunim sa më të ngushtë të të gjithë aktorëve të sistemit shëndetësor, sidomos të mjekëve me pacientët, si një mënyrë për të dhënë rezultat sa më të mirë në trajtimin cilësor të pacientëve.

Ndërkohë, përfaqësuesit e shoqatës “Together for Life” ngritën problemin tashmë tepër të madh të largimit të mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, ndërkohë që theksuan përpjekjet e mëdha që po bëhen nga shoqëria civile për të ushtruar presion mbi qeverinë për përmirësimin e kushteve në sektorin e shëndetësisë.

Konferenca u organizua nga rrjeti evropian “Active Citizenship Network”, ku shoqata “Together for Life” është pjesë prej tre vitesh.