Denisa Canameti
Sistemi Shëndetësor në Shqipëri është kryesisht publik. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) mbetet ofruesi kryesor i kujdesit shëndetësor në Shqipëri, megjithëse prezenca e ofruesve të shërbimit nga sektori privat, është duke u rritur gradualisht.
Ajo ofron kujdes përmes një rrjeti të gjerë të qendrave të kujdesit shëndetësor parësor, pikave shëndetësore, poliklinikave dhe spitaleve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është hartuese dhe përgjegjëse për politikat dhe strategjitë e sistemit shëndetësor, për rregullimin e tij si dhe për koordinimin e të gjithë aktorëve brenda dhe jashtë sistemit.
Shërbimi shëndetësor diagnostikues dhe kurues është i organizuar në tre nivele:
- shërbimi parësor,
- shërbimi spitalor dytësor,
- dhe spitalor terciar.
Shërbimet e shëndetit publik dhe promocionit ofrohen në kuadrin e shëndetit parësor dhe mbështeten dhe mbikqyren nga ISHP.
Shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë për vitin 2019 kanë qenë 51.182 miliardë lekë.
Këto shpenzime përbëjnë 10,41 % të shpenzimeve publike gjithsej për vitin 2019 dhe zënë një peshë prej 3,05 % në PBB-në gjithsej. Krahasuar me vitin 2018, shpenzimet publike në shëndetësi shprehur si përqindje ndaj PBB kanë shënuar rritje prej 1,8 %, ndërkohë shpenzimet publike në shëndetësi shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rritje prej 1,1 % .

Burimi i Grafikut:INSTAT
Qeveria shqiptare ka parashikuar që shpenzimet publike për shëndetësinë për vitin 2020 të jetë mbi 2% e PBB-së.
Buxheti në këto nivele është larg standartit të BE-së për shpenzimet publike për shëndetësinë, ku shëndetësia do ta ketë vështirë të zhvillojë reformat e nevojshme dhe të ngrejë nivelin e shërbimeve aktuale.
Në vitin 2016, shpenzimet publike për shëndetësinë në BE ishin 7.9% në raport me PBB-në,
Shpenzimet publike për shëndetësinë janë të ulta në secilin nga katër vendet e rajonit për të cilat të dhënat janë në dispozicion (shiko tabelën), duke arritur në vitin 2017 në 5.1% të PBB-së në Serbi, me raporte më të ulëta në Turqi 3.5%; Shqipëria 2.9%; dhe Kosova 1.6%;.

Burimi: EUROSTAT
Mungesa e fondeve të mjaftueshme për shëndetësisë është një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur sistemi shëndetësor në vite. Popullata është ende larg përftimit të një shërbimi shëndetësor cilësor.
Mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore e vuajnë familjet, shpenzimet e drejtpërdrejta (nga xhepi) të të cilave janë të larta. Për Shqipërinë kjo shkon deri në 50 për qind, në krahasim me 14,9 për qind në BE. Shifra këto që tregojnë se sa i cënueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë së COVID-19.
Një raport i Bankës Botërore “Ndikimi i COVID-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor” evidenton se “…Shpenzimet për frymë për sistemet shëndetësore janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së dhe mënyra me të cilën shpenzohen fondet e pakta është jo efikase ose jo e harmonizuar me profilin e sëmundshmërisë në rajon. Kjo e bën këtë rajon të cenueshëm nga shpërthime të ardhshme epidemish, sidomos duke pasur parasysh se pacientët me sëmundje jo ngjitëse janë më të cenueshëm.. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhet edhe të sigurojnë fonde për të financuar sistemet shëndetësore për t’i bërë më të forta përballë epidemive në të ardhmen”.
Në përgjigje të pandemisë Covid-19, autoritetet kanë ndërmarrë masa shtrënguese për kontrollin dhe ngadalësimin e përhapjes dhe kanë shpallur një paketë fiskale prej 1.4 perqind të PBB-së për të siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe mbështetje për familjet dhe bizneset e prekura.
Qeveria Shqiptare ka vendosur në dispozicion përmes Akteve Normative dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave, Buxhet shtesë për sektorin e shëndetësisë; Burime zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, raportojnë se buxheti i planifikuar në fillim të vitit (2020) për sektorin e shëndetësisë është 77.6 miliard lekë , ku nga këto : shëndetësia 52.6 miliard lekë dhe Mbrojtja Sociale 25 miliard lekë. Fondi i alokuar shtesë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është 2.5 miliard lekë.
Lidhur, me nevojën për riorganizimin e fondeve të sektorit të shëndetësisë pas situatës së krijuar në Covid-19, MSHMS raporton se nuk ka pasur një riorganizim të veçantë, pasi një gjë e tillë nuk ka rezultuar e domosdomshme.
Buxheti për blerjen e materialeve mjekësore të nevojshme për mbrojtjen e personelit mjekësor gjatë periudhës covid-19 deri më tani (qershor 2020) ka qënë 346 milion lekë.
Buxheti për blerjen e pajisjeve dhe medikamenteve të nevojshme shëndetësore për ofrimin e shërbimit për pacientë e prekur me covid-19 deri më tani ( qershor 2020) ka qene 1.8 miliard lekë.
Është kryer dezinfektimi i të gjitha institucioneve shëndetësore, në të gjitha nivelet dhe buxheti i vendosur në dispozicion është rreth 25 milion lekë.
Numri i tenderave të realizuar nga MSHMS për përballimin e situatës COVID dhe shpërndarjen e tyre, ka pasur rreth 10 procedura prokurimi që janë kryer nga MSHMS dhe shpërndarja e tyre është sipas kushteve për shërbimet e kontraktuara.
Procedura e tenderit për përballimin e situatës së COVID-19, si dhe për blerjet e dedikuara për Covid-19 ka qënë në zbatim të Vendimit nr.2013, datë 26.2.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për procedura që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit” të ndryshuar.
Krizë shëndetësore e shkaktuar nga COVID-19, po përball vendin tonë, ashtu sikur gjithë botën, me një sfidë të madhe edhe në drejtim të menaxhimit të situatës ekonomike. Sistemi shëndetësor shqiptar ashtu sikurse përshkruhet më lart, nuk ka qënë në asnjë vit i mjaftueshëm për arritjen e një standardi cilësor të ofrimit të shërbimit.
Sistemet shëndetësore i kanë bërë të cënueshme gjatë pandemisë edhe migrimi dhe mungesat në fuqi punëtore. Eksodi masiv i mjekëve dhe infermierëve në Perëndim, kryesisht në Gjermani, është një pengesë e madhe në luftën kundër covid-19. Për përballimin e situatës është rikthyer stafi mjekësor që ka dalë nga pension, janë hapur thirrje për vullnetarë, si dhe janë premtuar shpërblime të veçanta për stafin në vijën e parë.
Një studim i shoqatës Together for Life në vitin 2018, “Largimi i mjekëve nga Shqipëria”, evidentoi se nga viti në vit kishte një rritje të numrit të mjekëve të cilët kërkojnë certifikatën e sjelljes së mirë. Sipas shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, numri i mjekëve të diplomuar në shkollat shqiptare dhe që punojnë në Gjermani aktualisht, sipas Dhomës Gjermane të Mjekëve është 630 (statistika e 31.12.2018).
Si rrjedhojë e migrimit masiv dhe faktorëve të tjerë, Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë.
Ndërkohë, Instat raporton që nga viti 2018 në vitin 2019, numri i infermiereve në shërbimin parësor ka një rritje prej 2,6 %, por nga ana tjetër numri i mjekëve në këtë shërbim krahasuar me një vit me parë ka një ulje prej 1,5 %.
Në kushtet, kur Shqipëria vuan mungesën e personelit mjekësor, ka dhe një numër të kufizuar mjekësh që shërben në sistemin shëndetësor publik, është domosdoshmëri që vendi të maksimalizojë përpjekjet që t’i sigurojë personelit mjekësor pajisjet e nevojshme për të bërë punën e tyre të sigurt.
Por, sa i takon aftësisë për të mbrojtur personelin shëndetësor, sipas të njëjtit raport të Bankës Botërore pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, “qëndrueshmëria dhe kapaciteti i sistemit shëndetësor për të trajtuar të sëmurët dhe për të mbrojtur personelin shëndetësor janë identifikuar si fusha të dobëta për të pestë.
“... mungesat afatshkurtra dhe afatmesme në pajisje përkthehen në kërkesa shtesë dhe risk për mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor, të cilët ndodhen në një risk më të lartë të kthehen në pacientë me COVID-19. Për personelin shëndetësor me mundësi të pamjaftueshme përdorimi të pajisjeve mbrojtëse, kryerja e detyrave të përditshme është bërë më komplekse dhe më e rrezikshme”, evidenton raporti.
Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë e një vale të dytë infektimesh masive nga COVID-19, prandaj lind nevoja që shtetet të përgatiten për të gjithë skenarët e mundshëm, pasi ende nuk është fituar imuniteti i popullatës dhe s’ka vaksinë për virusin. Banka Botërore e konsideron prioritet të lartë që të merren pajisjet dhe materialet jetike dhe të përforcohen protokollet, formimi dhe infrastruktura në mbështetje të personelit të kujdesit shëndetësor. Nxitimi për të blerë pajisje të ndërlikuara thotë raporti, si ventilatorë duhet të shoqërohet me formim dhe mbështetje në mënyrë që personeli shëndetësor t’i përdorë siç duhet këto pajisje për të trajtuar pacientët
Një Analizë e Sistemeve Shëndetësore, Indeksi i Sigurisë Shëndetësore Globale 2019, vlerëson Shqipërinë me 0 pikë (nga 100) për “Praktikat e mbajtjes në kontroll të infeksionit dhe gatishmëria e pajisjeve”, si dhe me vetëm 10,8 pikë (nga 100) “Për kapacitetet shëndetësore në klinika, spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor”. Ndërkohë që Shqipëria vlerësohet me pikët maksimale për komunikimet me personelin shëndetësor gjatë një situate të jashtëzakonshme të shëndetit publik.

Burimi: Banka Botërore (dokumenti “Ndikimi i COVID-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor”)
Kjo analizë dëshmon domosdoshmërinë e trajtimit me prioritet të vendosjes së praktikave për mbajtjen nën kontroll të infeksionit dhe gatishmërinë e pajisjeve, si dhe përmirësimin e kapaciteteve shëndetësore në klinika, spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor.
Punonjësit e shëndetësisë janë në linjën e parë të çdo lloj përgjigje epidemie dhe i vendos në grup popullatën më të rrezikuar të çdo epidemie patogjene si në rastin e COVID-19. Siguria dhe shëndeti në punë i punonjësve shëndetësorë është thelbësore për t’u mundësuar që të bëjnë punët e tyre gjatë kësaj krize. Mbrojtja e tyre duhet të jetë përparësi!
Kjo analizë është shkëputur nga studimi “Sistemi shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pajisja e stafit me materialet e mbrojtjes personale”, i realizuar nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni “Konrad Adenauer”. Çdo qëndrim apo opinion i shprehur në këtë botim, jo domosdoshmërisht shpreh mendimin e Fondacionit.
REFERENCË:
PUBLIKIM I BANKËS BOTËRORE: Ndikimi i COVID-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor
http://pubdocs.worldbank.org/en/496311590709947974/RER-Health-May-21-for-typset-ALB.pdf
https://new.shendetesia.gov.al/organizimi-i-sistemit-shendetesor/
http://instat.gov.al/media/6964/shqiperia_ne_shifra_2019_.pdf
http://financa.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/Buxheti-i-Qytetarit-2020.pdf



