Këtë herë, patëm një takim shumë produktiv me një grup përfaqësuesish të moshës së tretë dhe përfaqësues nga Këshilli Bashkiak dhe Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Vau i Dejës.
Për disa prej të pranishmëve, ky ishte takimi i parë i kësaj natyre dhe u vlerësua nga ta mundësia që ju ofrua për një hapësirë të hapur për shprehje të lirë të shqetësimeve të tyre dhe ndërveprim me vendimmarrësit. Gjatë diskutimit, u vunë në pah disa nga sfidat më prioritare me të cilat ky target grup haset, duke u foksuar kryesisht tek ato social-ekonomike.
Ndër problematikat e parashtruara, lidheshin me:
- Pamjaftueshmërinë e mbulimit të shpenzimeve të jetesës së përditshme nga pensioni i alokuar për ta.
- Largimin e moshës së re dhe rritjen e numrit të të moshuarve që jetojnë të vetëm, pa perkujdesje, duke ndikuar negativisht në mospërfshirje apo edhe izolim social.
- Mungesën e shërbimit 24 orë të ambulancës dhe të qënit të detyruar që shumë shërbime shëndetësore t’i marrin në Shkodër, duke rënduar më shumë në xhepin e tyre.
- Cilësia e dobët e medikamenteve të rimbursueshme.
- Mungesën e një qendre ditore në zonë ku të moshuarit mund të marrin shërbime të ndryshme ose qoftë edhe të kalojnë kohën në mënyrë aktive, që do t’ju ndikonte pozitivisht në shëndetin e tyre mendor.
- Mungesa e shërbimit të transportit publik në zonë, që pengon pjesëmarrjen e tyre aktive si qytetarë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Vau i Dejës u shprehën se ky target-grup është në fokus të tyre dhe përpiqen të identifikojnë në kohë problematikat duke kryer vizita në terren dhe duke mbajtur komunikim të rregullt me kryetarët e fshatrave. Janë vazhdimisht në përpjekje për të përçuar informacionin në format më të arritshme për ta, si edhe për të marrë parasysh dhe përçuar kërkesat e tyre tek vendimmarrësit qendorë. Megjithatë, kapaciteti i tyre vendimmarrës dhe problem-zgjidhës nuk është gjithmonë në nivelet e duhura, për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme.
Në përmbyllje, të dyja palët e pranishme, reflektuan për rritjen e përpjekjeve më domethënëse për inicimin e takimeve të rregullta konsultuese për pjesëmarrjen aktive të qytetarëve të moshës së tretë në nivel dialogu dhe partneriteti.
Ky takim u zhvillua në vijim të projektit “Rritja e Angazhimit të Komunitetit në Vaun e Dejës, për Zgjidhjen e Çështjeve Lokale”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokracinë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.