Shoqata Together For Life (TFL) hap thirrjen për ekspertë të cilët duhet të monitorojnë buxhetin e shtetit për sektorin e shëndetësisë për periudhën janar 2020 deri në Janar 2024, vendimet e qeverisë mbi politikat financiare të periudhës nën monitorim si dhe nisma këmbëngulëse për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në sektorin e shëndetësisë.

Informacion i Përgjithshëm

Që nga muaji Korrik i vitit 2021, Shoqata Together For Life po zbaton projektin “Promovimi i Përgjegjshmërisë dhe Transparencës në Sektorin e Shëndetësisë në Shqipëri”, financuar nga National Endowment for Democracy.

Projekti synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri nëpërmjet një bashkëpunimi dhe ndërveprimi më konkret ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura. Nga njëra anë, qeveria ka akorduar nga burimet e saj dhe nga kontributet e donatorëve shuma të mëdha parash për sektorin e shëndetësisë. Nga ana tjetër, në funksion të pandemisë e në vazhdim, masat kufizuese të vendosura nga qeveria, niveli i lartë i korrupsionit në vend, parlamenti jofunksional në shumicën e rasteve dhe gjyqësori (për shkak të një reforme drastike që ka larguar shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve), roli i shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura merr një rëndësi të madhe për të plotësuar boshllëkun dhe për t’i kërkuar qeverisë për më shumë llogaridhënie dhe transparencë në vendimet dhe veprimet e saj në sektorin e shëndetësisë.

Shoqata Together for Life (TFL) është pjesë e kësaj nisme advokuese dhe monitoruese lidhur me transparencën dhe llogaridhënien në shëndetësi duke synuar mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe arritjen e shërbimeve shëndetësore tek çdo shtresë e shoqërisë.

Si rrjedhojë, Shoqata Together For Life (TFL) hap thirrjen për ekspertë të cilët duhet të monitorojnë buxhetin e shtetit për sektorin e shëndetësisë për periudhën janar 2020 deri në Janar 2024, vendimet e qeverisë mbi politikat financiare të periudhës nën monitorim si dhe nisma këmbëngulëse për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në sektorin e shëndetësisë.

Grupi i ekspertëve do të jetë multidisiplinor, me përvojë e formim të kualifikuar në fushën e financave, të menaxhimit, të politikave në sektorin e shëndetësisë, të advokacisë e jurisprudencës etj.

APPLICATION

Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë një CV dhe një Shprehje Interesi brenda datës 15 Qershor 2022 në adresën info@togetherforlife.org ose me postë në adresën Rr. Brigada VIII, Pallati Jeshil Tekno-Projekt, Hyrja 2, Ap.14, Tiranë/ Shqipëri

Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen.