Në vijim të projektit “Rritja e Angazhimit të Komunitetit në Vaun e Dejës, për Zgjidhjen e Çështjeve Lokale”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë, u organizua ditën e djeshme takimi i parë konsultues me komunitetin dhe përfaqësues të vendimmarrësve lokalë në Vaun e Dejës.

Të pranishme në takim ishin një grup i larmishëm nga gratë pjesë e komunitetit që përjetojnë problematika social-ekonomike, gra në përpjekje për të ngritur sipërmarrjet e tyre, aktiviste të shoqërisë civile, si edhe anëtare të Këshillit Bashkiak në Bashkinë Vau i Dejës, të cilat parashtruan kërkesat dhe nevojave e tyre më prioritare.

Ndër çështjet kryesore të ngritura nga gratë lidheshin me mungesën e informacionit dhe kanaleve të komunikimit lidhur me çështje me interes publik, mungesën e besimit tek vendimmarrësit, njëanshmërinë e marrjes së vendimeve, mungesën e mbështetjes për nismat që ndërmarrin, të përfshirjes, etj. Nga ana tjetër, fakti që ky ishte takimi i parë i kësaj natyre që mundësoi një hapësirë ndërveprimi midis palëve dhe shprehjes së lirë të grave mbi shqetësimet dhe rekomandimet e tyre, tregon një tjetër ngërç në procesin e komunikimit dhe gjithëpërfshirjes.

Përfshirja aktive e grave pjesëmarrëse në diskutimin, nxiti jo vetëm shpalosjen e problematikave, por edhe reflektimin dhe inkurajimin për të qënë pjesëmarrëse më pro-aktive, për të identifikuar kanalet më praktike të marrjes dhe shkëmbimit të informacionit, si edhe ndërmarrjen e hapave të parë të bashkëpunimit efektiv me vendimmarrësit.

Nga ana tjetër, edhe përfaqësueset e Këshillit Bashkiak reflektuan se duhet një punë më e madhe në ndërmarrjen e nismave për zhvillimin e shpeshtë dhe të rregullt të takimeve konsultuese për pjesëmarrjen qytetare në nivelin e dialogut dhe partneritetit me komunitetin, për t’i përfshirë ata konkretisht në çdo hap të procesit të vendimmarrjes dhe jo të jenë thjeshtë pjesëmarrës pasive në dëgjesa publike. Sigurisht, ka vend për përmirësim edhe lidhur me kanalet e komunikimit dhe përditësimit të informacionit. Për këto, nevojitet edhe mbështetja nga vendimmarrësit e nivelit qendror.

Ky takim, do të pasohet me të tjera takime konsultuese me grupe të tjera interesi që synojnë angazhimin e të dyja palëve për lehtësimin e dialogut të hapur, si edhe advokimit për transparence dhe llogaridhënie për përfshirje civile aktive, mbështetje dhe zgjidhje.