Në kuadër të projektit “Të luftojmë krimin e organizuar dhe mbështesim zhvillimin e të rinjve në Dibër”, mbështetur nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, Shoqata Together for Life po organizon në Dibër me të rinjtë e shkollave të mesme aktivitete që kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit të tyre mbi rrezikshmërinë e krimit të organizuar.
Aktiviteti i parë u zhvillua me të rinj të Shkollës së Mesme Profesionale “Nazmi Rushti”, Peshkopi, ku përmes përfshirjes së të rinjve në diskutime dhe lojërave interaktive u nda me ta informacion i përshtatur për moshën e tyre rreth mënyrave dhe mjeteve që përdorin grupet kriminale për të përfshirë të rinjtë në akte të paligjshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, për faktorët e rrezikut dhe pasojat e përfshirjes në aktivitete të tilla.
Përmes këtij projekti, TFL synon të adresojë shkaqet kryesore të ekspozimit të të rinjve ndaj krimit të organizuar, si mungesa e mundësive për t’u integruar në ambientin ku jetojnë, mungesën e të ardhurave, shkallën e ulët të arsimimit, analfabetizmin funksional, të cilat i shtyjnë ata të angazhohen në aktivitete të paligjshme dhe të bien pre e krimit të organizuar apo ekstremizmit të dhunshëm.
Të rinjtë pjesëmarrës ishin shumë aktivë për të diskutuar rreth këtyre temave, duke nxjerrë në pah nevojën për t’u mbështetur nga familja, shkolla dhe institucionet në realizimin e dëshirave dhe ëndrrave të tyre nëpërmjet rrugëve dhe mjeteve të ligjshme. Projekti synon rritjen e ndërveprimit, rrjetëzimin dhe bashkëpunimin mes të rinjve dhe bizneseve lokale, duke ofruar mundësi trajnimi dhe praktika profesionale, si dhe për punësimin e të rinjve.