R.L është pjesë e listës së pacientëve të vegjël që do të përfitojnë nga paketa e implantit koklear, falas. Shkresa konfirmuese është paraqitur në gjykatë, si një marrëveshje, pas një padie të ngritur nga shoqata Together for Life, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Në emër të së drejtës për shërbim shëndetësor falas, Shoqata Together for Life vazhdon betejën ligjore/gjyqësore për fëmijët me probleme të rënda të dëgjimit. TFL këmbëngul në garantimin e shërbimit shëndetësor, falas, për fëmijët që kanë nevojë për implant koklear.
Kjo e drejtë vazhdon t’u mohohet këtyre fëmijëve, që prej vitit 2014, kur kjo paketë u miratua për t’u financuar plotësisht si shërbim shëndetësor nga shteti.
Deri tani paketa e shërbimit shëndetësor të Implantit Koklear nuk është bërë efektive në asnjë rast, për shkak se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka siguruar pajisjen e Implantit Koklear, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza“ Tiranë nuk ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale për vendosjen e pajisjes, ndërsa Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk ka financuar, administruar dhe monitoruar ofrimin falas të kësaj pakete.
Në tetor të 2020-s, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu premtoi realizimin për herë të parë implantit koklear falas për fëmijët që nuk dëgjojnë. Edhe pse nuk ka një shifër konkrete (të kërkuar edhe në Kuvend nga TFL në fazën e diskutimeve për projekt buxhetin 2021) MSHMS ka deklaruar se 20 fëmijë me shurdhësi të lindur do të përfitojnë në vit paketën e implantit koklear (ndërhyrja dhe aparati i posaçëm që i rikthen dëgjimin). Ndërhyrja është definitive dhe arrin të integrojë plotësisht fëmijët në jetën sociale, pas një procesi të gjatë rehabilitimi. Kosto e trajtimit për çdo fëmijë është 29 mijë dollarë, e cila do të mbulohet 100% nga shteti.
Prej vitesh, TFL ngre zërin për realizimin e këtij projekti të madh, që do t’u kthente shpresën fëmijëve me nevoja të veçanta (shurdhësi të lindur). Implanti koklear mund të konsiderohet një kosto e madhe për buxhetin e shëndetësisë sot, por në terma afatgjatë jo sepse arrin të integrojë plotësisht këta fëmijë.
Beteja ligjore vazhdon, derisa shteti t’u garantojë të gjithë fëmijëve shërbim shëndetësor falas.