Shoqata Together for Life, organizoi një tryezë diskutimi për prezantimin e gjetjeve të raportit “Gratë dhe shëndeti mendor në Shqipëri – Politikat e shëndetit publik dhe qasja e tyre gjinore ndaj shëndetit mendor”. Raporti është zhvilluar nga Shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit “Nuk mund të avancojmë shëndetin, pa avancimin e të drejtave”, mbështetur nga Ambasada Franceze në Shqipëri.

Ambasadorja, Znj. Elisabeth Barsacq gjatë fjalës së saj përshëndetëse, u ndal tek trajtimi i hershëm i çrregullimeve të shëndetit mendor dhe rëndësinë e përmirësimit të aksesit në kujdesin shëndetësor dhe integrimin në shoqëri. Ajo gjithashtu vuri theksin tek çështjet e paragjykimit mbi shëndetin mendor të grave dhe ndërgjegjësimit mbi të, si çështjet kyç problematike. “Problemet e shëndetit mendor tek gratë si ankthi e depresioni, shpesh mbeten tabu në shoqëri, sidomos në zonat rurale”- shprehu Ambasadorja Znj. Barsacq. Mbështetja e organizatave të shoqërisë civile lidhur me ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor dhe nxitjen e dialogut midis grupeve të interest, është në fokus të Ambasadës Franceze në Shqipëri.

Përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, pedagogë dhe profesionistë të fushës sociale, World Vision, Terre des Hommes, UNFPA, UN Women, dhe organizata të tjera të shoqërisë civile me fokus fuqizimin e grave dhe jo vetëm, gazetarë dhe përfaqësues të medias, profesionistë të shëndetit mendor, si edhe të rinj aktivistë në fushën e shëndetit publik dhe mendor, ishin të pranishëm në takim.

Raporti “Gratë dhe shëndeti mendor në Shqipëri – Politikat e shëndetit publik dhe qasja e tyre gjinore ndaj shëndetit mendor”, paraqiti disa të dhëna, gjetje nga monitorimi i politikave të institucioneve publike shëndetësore dhe qasjen e tyre gjinore ndaj shëndetit mendor, si edhe mundësoi disa rekomandime të përditësuara për përmirësimin e situatës.

Të dhënat dhe rezultatet e raportit, të hartuar dhe prezantuar nga eksperti i shëndetit Dr. Alban Ylli, solli në vëmendje se dallimet sociale ekzistente në shoqëri midis grave dhe burrave përsa i përket roleve dhe përgjegjësive, statusit dhe pushtetit, ndërveprojnë me dallimet biologjike midis gjinive, duke kontribuar në dallime në natyrën e problemeve të shëndetit mendor, sjelljet e kërkimit të ndihmës mjekësore nga personat e prekur, si dhe përgjigjet e sektorit shëndetësor dhe shoqërisë në tërësi.

Ndër pikat kyç të trajtuara ishte se Shqipëria ka ligje/politika të mira mbi shëndetin mendor dhe barazinë gjinore. Megjithatë, shumicës së dokumenteve të politikave mbi shëndetin mendor u mungon një qasje mbi specifikat gjinore të çështjeve mendore ose të përdorimit të shërbimit shëndetësor.

Në përmbyllje të takimit, u cilësua se bashkëpunimi midis institucioneve qeveritare, entiteteve joqeveritare, shoqërisë civile dhe të gjithë grupeve të interesit është thelbësor. Përmes angazhimit të përbashkët mund të ndërtohet një mekanizëm efektiv që trajton shëndetin mendor nën perspektivën e barazisë gjinore.

         

Gjetjet e plota të raportit, janë të aksesueshme në link-un:  https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Grate-dhe-shendeti-mendor-ne-Shqiperi.pdf