
Aktiviteti u moderua nga ekspertja Aurora Sulçe, ndërsa u komentua edhe nga pjesmarrësit të cilët e konsideruan raportin të një rëndësie të veçantë.
Znj. Argita Alikaj, Përgjegjëse sektori pranë Ministrisë së Drejtësisë, u shpreh se: “Sektori i shëndetësisë është një ndër sektorët që është parashikuar si sektor me rrisk edhe në Strategjinë që ne kemi hartuar për vitin 2023 – 2030 dhe në listen e aktiviteteve të parashikuara janë edhe ato që evidentojnë dhe adresojnë problematikat e ndeshura. Ne i kemi problematikat e evidentuara dhe i trasmetojmë tek Drejtoritë përkatëse në terren”.
Z.Kozma Kondakçiu, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit të KLSH-së, tha se: “Piramida e shëndetësisë është një piramidë e madhe dhe nëse lëviz diçka, të gjithë zërat duhet të spostohen dhe buxhetet ndryshojnë. Planfikimi i saktë nuk mund të ekzistojë. Për më tepër, pandemia dhe kushtet e tjera që ka kaluar vendi ynë, e kanë bërë më të paqëndrueshëm planifikimin e saktë. Është e vështirë për ne si KLSH që në planifikimin tonë vjetor të bëjmë një analizë rrisku dhe jo çdo institucion qendror mund të auditohet çdo vit. Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor”, janë institucione që auditohen pothuajse çdo vit. Ka institucione të tjera vartësie që për asrye të ndryshme të brendshme mund të auditohen një herë në 2 vjet.”
Znj. Vilfrida Bushati, Drejtoresha e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerësoi bashkëpunimin me organizatën dhe lehtësimin që raporte të tilla dhe statistikat e nxjerra bëjnë për punën e tyre të përditshme në fushën e hetimit dhe auditimit, që çështjet në ofrimin e shërbimeve të adresohen dhe të zgjidhen pa nevojën të arrijnë deri në proces gjyqësor. Por edhe nëse arrijnë deri në nivelin gjyqësor, të jenë të bazuara në fakte.
Z. Petrit Vasili, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se raporti i prezantuar ishte profesional dhe adresonte “zemrën e problemit” dhe do t’i shërbejë edhe MSH për të nxjerrë konluzione të rëndësishme. Një ndër detajet interesante që ai pikasi gjatë prezantimit ishte rritja e numrit të të shtruarve në psikiatri: “Kjo gjë nuk duhej të ndodhte, pasi deinstitucionalizimi është një proces në të mirë të shtetit dhe rasteve vetë, sepse ndikon në gjendjen e tyre shëndetësore dhe rëndon në buxhetin e shëndetësisë”. Shëndetësia është e nënfinancuar, ky është fakt – pika e referimit sipas tij është Kontrolli i Lartë i Shtetit si autoriteti i lartë kushtetues, i cili përmes fakteve dhe gjetjeve të paraqitura në raporte duhet të analizojë dhe kuptojë se si administrohen taksat e qytetarëve. Ai theksoi se përderisa fondet e investimeve në shëndetësi janë më të ulëta dhe është bërë regres në krahasim me vendet e tjera, do të thotë që fondet shpërdorohen. Si një ndër pikat e fundit por jo më pak të rëndësishmet, Z. Vasili përmendi rrënimin e sistemit të referimit, që nënkupton mbingarkimin e disa spitaleve si QSUT, atrofizimin e shërbimeve në qytete, rritjen e kostove për ta marrë kujdesin shëndetësor në Tiranë, ose detyrimi i pacientëve për t’ju drejtuar sistemit shëndetësor privat. Ky qark i mbyllur që krijohet, ka pasoja që bien rëndë mbi pacientin.
Z. Besar Likmeta – Gazetar Investigativ pranë BIRN Albania, u ndal tek nevoja që sistemi shëndetësor privat i cili tashmë është i përhapur në një përqindje të madhe, duhet të monitorohet mbi shërbimin që ofron nga institucionet e kontrollit. Lidhur me shpenzimet e popullsisë shqiptare për shëndetësinë janë në rritje, sidomos lidhur me shpenzimet e xhepit. Një ndër shembujt e paraqitur nga Z.Likmeta ishte edhe përhapja e tregjeve informale gjatë pandemisë sepse sistemi shëndetësor nuk mund t’i ofronte shërbimet (si psh. shitja e bombolave të oksigjenit online). “Pandemia duhej të kishte shërbyer si moment reflektimi përsa i përket mangësive të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Çdo vit raportojmë të njëjtat raste të përsëritura, qoftë në mënyrën sesi shpenzohet buxheti për medikamentet apo qoftë koncesioneve që po ashtu janë të përsëritura”. Ndër arsyet kryesore të largimit të shqiptarëve nga Shqipëria të evidentuara gjatë intervistave është pikërisht shëndetësia, pasi qytetarët janë të ndërgjegjësuar që nevojat e tyre për marrjen e shërbimeve nuk marrin përgjigje në Shqipëri. Nga ana tjetër, shprehet një lloj pasigurie lidhur me sistemin shëndetësor publik dhe qytetarët detyrohen të drejtohen tek privati.
Angazhimi aktiv dhe reflektues i medias në dhënien jehonë të adresimit të problematikave lidhur me menaxhimin e sektorit të shëndetësinë dhe themelet që e mbajnë sistemin në këmbë, ishte ndër pikat e theksuara në përmbyllje të takimit.
Kjo tryezë diskutimi ka qenë një platformë e rëndësishme për të shkëmbyer mendime dhe për të theksuar nevojën për transparencë dhe llogaridhënie në sektorin e shëndetësisë. Shoqata Together for Life është e vendosur të angazhohet në përmirësimin e shëndetit publik dhe do të vazhdojë të monitorojë dhe raportojë për zhvillimet në këtë fushë.
Në fjalën e saj përmbyllëse, Drejtoresha Ekzekutive e Together for Life – Znj. Eglantina Bardhi, theksoi se të gjithë së bashku, duke vendosur nga një gur themeli mund të bëhet një ndryshim dhe të nxitet reflektimi i institucioneve vendimmarrëse në ndërmarrjen e këtij ndryshimi.
Shëndetësia në Shqipëri vazhdon të mbetet e fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me shpenzimeve e përgjithshme publike, gjë e cila vijon të mbetet në fuqi dhe për vitin 2022. Politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale mbeten të nën financuara, duke bërë që shpenzimet publike të sektorit të realizohen të paprioritarizuara, pa vëmendjen e nevojshme të qeverisë në llogaridhënie mbi përdorimin e tyre duke riskuar kështu dhe keqpërdorimin e fondeve buxhetore.


