Këtë herë, trajnimi lidhur me rolin e medias në raportimet me perspektivë gjinore zbatuar nga Shoqata Together for Life me mbështetje e UN Women Albania, u zhvillua me gazetarët e aktualitetit dhe politikës në qytetin e Korçës.
Me synim rritjen e kapaciteteve në fushën e barazisë gjinore, me fokus të veçantë në raportimin gjinor sidomos gjatë zgjedhjeve, gazetarët e pranishëm u informuan nga ekspertja ligjore Znj. Alma Lahe lidhur me legjislacionin e BE dhe standartet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e grave në politikë, si edhe situatën aktuale në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera lidhur me hendekun që ekziston si pasojë e diskrimiminit dhe perceptimit ndryshe të pozitës së gruas në krahasim me atë të burrit, në termat e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit.
Diskutimi në këtë fazë të trajnimit solli në vemendje se reflektimi mbi evidentimin e problematikave seksiste dhe mbi hartimin e legjislacionit në bazë të qasjes së barazizë gjinore ku vihen në plan të parë nevojat dhe mundësitë e secilës gjini, është një aspekt pozitiv në procesin e integrimit të perspektivës gjinore. Megjithatë, pjesëmarrësit theksuan se integrimi me fokus atë gjinor është thelbësor dhe paraprirës i barazisë gjinore.
Nga ana tjetër, ekspertja e medias dhe komunikimit Znj. Valbona Sulçe u ndal fillimisht tek nevoja e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me të drejtën e BE-së lidhur me seksizmin në media, duke mundësuar edhe shembuj të gjuhës seksiste dhe bullizuese drejtuar grave dhe vajzave në politikë, si edhe se si ky legjislacion i rishikuar shërben në funksion konkret të adresimit të çdo lloj elementi diskriminimi me bazë gjinore.
Disinformimi i vazhdueshëm në media, si një fenomen kryesor i hasur shpesh që i jep zë dhunës ndaj grave në politikë dhe dallimi i elementëve që e ndajnë atë nga keqinformimi sporadik dhe i paqëllimshëm, ishte gjithashtu një tematikë që ngjalli interes dhe diskutime ndërvepruese. Diskutimi mbi ngjarjet e fundit në Shqipëri theksoi mungesën e ndjeshmërisë gjinore dhe veçanërisht optikën sulmuese ndaj gjinisë femërore nga media. Mospërfshirja e elementit të perspektivës gjinore, rrezikon të mundësojë disinformim dhe në një formë të caktuar edhe justifikim të dhunuesit.
Shpeshherë nevoja dhe kërkesa intensive e mediave për të prodhuar lajmin që shkakton më shumë impakt tek audienca, me synim për të fituar më shumë të ardhura nga klikimet, ndikon negativisht që media të gabojë dhe të bjerë pre e promovimit të disinformimit, keqinfomimit apo dhënies zë të abuzimit me imazhin e vajzave dhe grave.
Gazetarët e pranishëm theksuan se trajnime bazuar mbi këto tematika janë shumë të nevojshme pasi në Korçë nuk janë mundësuar më parë të tilla. Konceptet dhe praktikat e mundësuara nxitën reflektimin e tyre mbi rolin e medias në promovimin e imazheve pozitive dhe pjesëmarrjes aktive të vajzave/grave në fushat sociale dhe politike. Nga ana tjetër, edhe integrimi i perspektivave të reja dhe përdorimi i kujdesshëm i “lupës së gazetarisë me bazë perspektive gjinore” në punën e tyre, vlerësohet si thelbësor për një raportim profesional dhe me standarte.