Shpeshherë, ekziston perceptimi se gratë që nuk janë angazhuar ndonjëherë në politikë dhe vendimmarrje, nuk kanë potencialin e mjaftueshëm dhe aftësitë për të qënë pjesë e kësaj sfere. Media është një ndër aktorët kyç që na e ka formësuar dhe përforcuar këtë model.
“Sipas një studimi të fundit të UNDP, në vitin 2023, 69% e popullsisë së botës ende mendon se burrat bëhen udhëheqës më të mirë politikë se gratë dhe vetëm 27% beson se është thelbësore për demokracinë që gratë të kenë të drejta të njëjta si burrat” – kjo është mendësia që ekziston aktualisht dhe pa ndryshuar këtë mendësi, progresi për fuqizimin e rolit të gruas do të jetë akoma edhe më i vështirë për t’u arritur edhe për shumë vite”, shprehu ekspertja e medias Znj. Valbona Sulçe, gjatë trajnimit me gazetarë të aktualitetit dhe politikës në Tiranë.
Me mbështetjen e UN Women, Shoqata Together for Life organizoi ditën e sotme trajnimin e katërt me gazetarë, me synim rritjen e kapaciteteve në fushën e barazisë gjinore, me fokus të veçantë në raportimin gjinor gjatë zgjedhje dhe rolit të medias në fuqizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në politikë dhe vendimmarrje.
Pjesa e parë e trajnimit, mbuloi tematikën e legjislacionit dhe të drejtave të grave në politikë sipas standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare, bazuar në qasjen e BE-së ndaj barazisë gjinore. Nga ana tjetër, një fokus të rëndësishëm ju vu edhe diskutimit mbi qasjen e Shqipërisë në termat e legjislacionit mbi barazinë gjinore dhe faktorëve që ndikojnë në shkallën e pjesëmarrjes së grave në politikë. “Gazetarët dhe media, duhet të kenë parasysh si kusht bazë vlerësimin dhe analizimin paraprak të perceptimeve, nevojave, sfidave dhe hendekut lidhur me barazinë gjinore, përpara hartimit dhe publikimit të produkteve mediatike.” – u shpreh Znj. Alma Lahe, eksperte ligjore.
Pse gazetaria dhe raportimi me perspektivë gjinore janë me kaq rëndësi thelbësore? Ky ishte boshti mbi bazën e së cilit u orientua pjesa e dytë e trajnimit, referuar nga Znj. Sulçe. Shpeshherë fakti që në media shohim më shumë figura burrash si ekspertë apo të ftuar në panele diskutimi për çështje të rëndësishme, justifikimi i dhunuesve burra, si edhe objektifikimi seksist dhe stereoptipizimi i figurave të grave (të lidhura me figurën e nënës, bashkëshortes, familjares, etj), na ndikon që të mbahet ndezur perceptimi se gratë nuk janë të afta për të patur role vendimmarrëse dhe nuk janë udhëheqëse të mira politike.
Edhe vetë gratë janë induktuar me stereotipizimet “Një grua e suksesshme është një nënë e mirë që kujdeset për fëmijët dhe famijen” apo “Nëse një grua shfaqet e suksesshme, me siguri ka përfituar nga favoret e një burri udhëheqës” dhe rrjedhimisht stepen për t’u shprehur dhe shfaqur për shkak të ndikimit nga opinioni i jashtëm. “Gratë ndonjëherë e stepin edhe vetë veten. Edhe pse tani gjërat kanë ndryshuar dhe gratë janë më të lira për t’u shprehur, shpeshherë e ndesh si problem me personazhet gra që intervistoj, që e japin intervistën e më pas nuk ndihen të gatshme për ta publikuar sepse kanë frikën e gjykimit dhe opinionit nga komuniteti ku jetojnë.” – u shpreh njera nga gazetaret pjesëmarrëse.
Një ndër problematikat madhore lidhet edhe me disinformimin dhe keqinformimin gjinor të qëllimshëm ose për shkak të moskualifikimit të duhur të gazetarëve dhe mungesës së etikës e ndjeshmërisë gjinore në raportim. “Shumë gazetarë nuk kanë asnjë eksperiencë dhe nuk janë të trajnuar nga punëdhënësit. Ndërkohë që dalin dhe raportojnë live mbi çështje të ndjeshme. Për të shmangur këto problematika, duhet që gazetarët të jenë të trajnuar që në fillim.” – u shpreh njëra nga gazetaret e pranishme.
Nga ana tjetër, shumë media nuk zbatojnë ligjin për median audiovizive dhe nuk praktikojnë raportimin me bazë gjinore, duke synuar shënjestrimin e grave me qëllim heshtjen e tyre, si edhe paraqitjen e titujve të stilit tabloid si karrem për kapjen e një audience të lartë. Kjo mund të shkaktojë dëme të mëdha.
Diskutimet ndërvepruese, bashkëshoqërimi me shembuj dhe praktika të përdorimit të gabuar të gjuhës jo etike dhe seksiste në raportime në Shqipëri dhe në botë, si edhe ndarja e praktikave të mira të gazetarisë me bazë gjinore, nxiti reflektimin e pjesëmarrësve mbi rolin e medias në promovimin e imazheve pozitive dhe pjesëmarrjes aktive të vajzave/grave në fushat sociale dhe politike.
Në përfundim të trajnimit, gazetarët vlerësuan rëndësinë e tematikave të trajtuara gjatë trajnimit dhe shprehën se ndihen më të inkurajuar për të qënë më të përgjegjshëm në raportimet gjatë punës së tyre të përditshme.