Shoqata Together for Life përmbylli me sukses trajnimin 3-ditor me organizatat e shoqërisë civile me synim rritjen e kapaciteteve të OSHC-ve për t’u përfshirë në procese monitorimi, mbikëqyrjeje dhe advokimi në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. Trajnimi u zhvillua në kuadër të projektit “Mbështesim Pjesëmarrjen, Përgjeshmërinë dhe Fuqizimin e Shoqërisë Civile”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian në Shqipëri.
Përfaqësues të organizatave me bazë në komunitet nga i gjithë vendi, morën pjesë aktivisht në sesionet e trajnimit 3-ditor, bazuar mbi tematikat:
  • Bashkëpunimi i organizatave lokale të shoqërise civile me median në advokim dhe mbikëqyrje
  • Aftësim për planifikim, shkrim dhe zbatim projekti
  • Aftësimi i Organizatave të Shoqërisë Civile për t’u përfshirë në Procesin Buxhetor

Përmes forcimit të kapaciteteve dhe rritjes së efikasitetit të organizatave lokale në fushën e advokatisë e mbikëqyrjes, u arrit nxitja e reflektimit mbi rolin e tyre si OSHC dhe mbi ngritjen e zërit si zëdhënëse të fuqishme për nevojat dhe shqetësimet e komuniteteve të cilat përfaqësojnë. Nga ana tjetër, rritja e aftësive për të shkruar dhe implementuar projekte të fokusuara në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, si edhe forcimi i aftësive teknike të organizatave të shoqërisë civile në procesin buxhetor, ishin po ashtu ndër boshtet kyç në dobi të punës së përditshme të organizatave.

Gjithashtu, të pranishmit, gjatë diskutimeve ndërvepruese, ndanë përvojat dhe praktikat më të mira të bashkëpunimit mes midis aktorëve kyç për të advokuar për çështje të rëndësishme që shqetësojnë komunitetin, kryesisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Ata vlerësuan se trajnime të tilla janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të forcuar kapacitetet e tyre në mënyrë që rrisin ndikimin pozitiv në komunitetin e tyre dhe në vendimmarrjen vendore dhe qendrore.