Si pikënisje e mbarë e projektit “Rritja e angazhimit të komunitetit në Vaun e Dejës për zgjidhjen e çështjeve lokale”, Shoqata Together for Life organizoi ditën e djeshme një takim të parë të frytshëm me aktorët lokalë kyç dhe grupet e interesit në Vaun e Dejës, me synim prezantimin e projektit dhe konsultimin konstruktiv për nxjerrjen në pah të disa prej nevojave/prioriteteve të Bashkisë dhe komunitetit në termat e transparencës dhe llogaridhënies.
Projekti mbështetet nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Përfaqësues nga Këshilli Bashkiak, sektorët e shërbimit social, arsimit, mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë Vau i Dejës, përfaqësues nga target-grupe të ndryshme të komunitetit dhe organizata të shoqërisë civile që përfaqësojnë gratë/vajzat, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, ishin të pranishëm në takim.
Zv. Kryetarja e Bashkisë, Znj. Aleksandra Gjoni, në fjalën e saj përshëndetëse mirëpriti projektin dhe shprehu gatishmërinë e Bashkisë Vau i Dejës për një bashkëpunim të frytshëm në dobi të adresimit të nevojave të komunitetit dhe ndërtimin e një dialogu të hapur me ta, për përmirësimin e procesit të vendimmarrjes.
Takimi, duke patur si synim kryesor identifikimin e prioriteteve dhe sfidave kryesore, u fokusua tek ndarja e inputeve kryesore lidhur me transparencën dhe mirë-qeverisjen, si edhe diskutimin ndërveprues midis të pranishmëve.
Ekspertja e mirë-qeverisjes, Znj. Entela Pinguli ndau disa nga parimet bazë lidhur me mirë-qeverisjen në nivel lokal, duke e vënë theksin tek përfshirja e komunitetit në vendimmarje që mundëson një proces demokratik për marrjen e vendimeve të informuara dhe transparente, në përputhje me ligjin.
Pavarësisht pozicionit që përfaqësonin, të pranishmit e vunë veten në rolin e komunitetit, duke shprehur këndvështrimin e tyre edhe si qytetar i Vaut të Dejës. Por nga ana tjetër, edhe vetë komuniteti u përpoq të “ulej në karrigen” e vendimmarrësve përballë një liste të gjatë prioritetesh dhe presionit për përmbushjen e kritereve për integrimin në BE.
Një ndër problemet që u ngrit gjatë diskutimit, lidhej me mungesën e kapaciteteve dhe keqpercetimit lidhur me limitin e pushtetit për vendimmarrje të institucioneve vendore. – “Shpeshherë në sytë e komunitetit, duket sikur ka shumë pushtet, por në fakt ky është një pushtet që mbahet peng nga qeverisja vendore. Bashkia e ngre zërin, organizon dëgjesa efektive me komunitetin, por nuk ka kapacitetet dhe ekspertizën financiare për ta çuar përpara çështjen. Ndërkohë që komuniteti na fajëson ne.”
Nga ana tjetër, nën kënvështrimin e OJF-ve dhe komunitetit, pjesëmarrja e shoqërisë civile dhe komunitetit në vendimmarrje demokratike mbetet ende sfiduese. Ka një mungesë besimi nga ana e komunitetit, i cili i përballur me zhgënjimin dhe rrjedhimisht ka humbur interesin për të marrë pjesë në dëgjesa publike.
– “Këtu hasemi me “klientelizmin”, ne si OJF nuk jemi ftuar në tryeza konsultimi pasi kemi thënë gjithmonë të vërtetën. Individë të caktuar kanë në dorë mekanizmat e pushtetit dhe zgjedhin çështjet që janë prioritare.”
– “Ka ende një luftë kundër mediokritetit dhe mungesën e kapaciteteve, paaftësisë.”
Në përmbyllje të takimit, u dakordësua që vendimmarrja është një proces gradual, ka shumë sfida dhe ky proces ka nevojë për ndërtimin/fuqizimin e sistemeve të qëndrueshme. –“Duhet rritur presioni i komunitetit ndaj pushtetit vendor, ndërkohë që ky i fundit të rrisë presionin ndaj atij qendror, por ky është një proces që duhet të ndodhë në mënyrë graduale”.
Bashkia e Vaut të Dejës duhet të sigurojë nje pjesëmarrje dhe angazhim më të mirë të grupeve të interesit që të marrin rolin mbikqyrës duke krijuar një platformë për qytetarët që të advokojnë për të drejtat e tyre.
Nga ana tjetër, është thelbësore që të nxitet bashkëpunimi efektiv midis Bashkisë përmes Zyrës së Integrimit Europian dhe OJF-ve lokale, me synim mirë-përfaqësimin e nevojave prioritare të komunitetit dhe arritjen e mbështetjes financiare nga ana e donatorëve. Kjo mund të arrihet edhe përmes ngritjes së një grupi ekspertësh që të hartojnë një Plan Integriteti funksional, si edhe ngritjes së një platforme përfaqësuese të pjesëmarrjes civile dhe zërit të komunitetit.